Shitja e armëve në vendet Afrikane të cilat janë në konflikt të vazhdueshëm është kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm edhe për partnerët e Shqipërisë. Trafikimi I tyre nisi që në vitin 2008, kur pavarësisht apelit të institucioneve ndërkombëtare, por edhe embargove, qeveria e asaj kohe (sot në opozitë) kreu një sërë transfertash të rëndësishme. Një fakt I tillë konfirmohet dhe në raportin e publikuar nga AFP e cila shkruan se si në vitin 2008 Shqipëria nisi shitjen e armëve. Edhe pse nuk u mor asnjëherë asnjë masë për drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes së asaj kohe, shitja e armatimit në vitet 2008-2013 ka vijuar pandalur duke mbushur gropat financiare të buxhetit të këtyre viteve. Investigimi më i plotë lidhur me shitjen e armëve nga depot e ushtrisë shqiptare në duart e rebelëve në Afrikë, është ai i gjigandit mediatik Reuters, i cili 7 vite më parë ngriti alarmin se si arkat me mucione dhe armatim shqiptar trafikoheshin nga qeveria shqiptare e asaj kohe.
Në videon e publikuar nga Reuters shfaqeshin arka brenda të cilave gjendeshin predha 120 mm. Nga jashtë këto arka ishin shkruar me shkronja shqip, duke hequr çdo dyshim se prejardhja e armatimit është nga Shqipëria. Sipas agjencisë, kjo sasi armatimi u kap nga rebelët gjatë pushimit të qytetit Goma në Republikën e Kongos. Armatimi ishte përdorur nga ushtria kongoleze.

Përballë fakteve të pakundërshtuesve të publikuara nga Reuters dhe që u risollën në vëmendjen e opinionit publik këtë javë dhe nga AFP, ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Arben Imami do të detyrohej që të pranonte ekzistencën e një tregtie të strukturuar armësh. Sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes, Ervin Kulluri, do të justifikohej në atë kohë duke thënë se: “Në përgjigje të akuzave për të ashtuquajturin skandal të përdorimit të predhave shqiptare në luftimet e Kongos, Ministria e Mbrojtjes sqaron se, këtu nuk ka asnjë skandal dhe as lajm. Shitja e predhave 120 mm qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos është ligjore. Kjo shitje është raportuar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ashtu siç edhe është e publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE). Ndaj për t’i kursyer televizionit në fjalë monitorimin e agjencisë së lajmeve “Reuters”, aktiviteti i tregtimit të mallrave ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes gjendet në këtë raport. Ky është raporti i AKSHE për vitin 2011, publikuar në faqen e internetit me adrese ‘www.akshe.gov.al’ ku pasqyrohet shitja e 10 mijë predhave mortaja 120 mm”,- u shpreh Kulluri.

Tregtia e armëve të ushtrisë shqiptare është bërë shpesh arenë debati edhe në sallën e kuvendit, ku socialistët në atë kohë akuzuar qeverinë “Berisha” për trafik armësh dhe se po ushqen konflikte të përgjakshme në vende të ndryshme. “Bëjmë me dije se qeveria e Republikës Demokratike të Kongos nuk është nën embargo. Shitja i është bërë qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos konform të gjithë rregullave dhe akteve ligjore. Nëse rebelët kongolezë kanë shtënë në dorë këto armatime, kjo nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.”,- do të justifikohej Kulluri, I cili është aktualisht anëtar I Këshillit Kombëtar të PD.