Protestat kundër diskriminimit racor në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë tani prej një muaji.Ndryshe nga protesta të tjera me të njëjtën temë vitet e fundit, këtë radhë kanë bashkuar zërat një numër më i madh amerikanësh të bardhë dhe thirrjet për drejtësi kanë gjetur jehonë në demonstrime në qytete të ndryshme të botës. Kolegia Ardita Dunellari foli me aktivistë shqiptaro-amerikanë për të mësuar më shumë se ku qëndron në këtë temë ky grupim i shoqërisë amerikane:
Protestat janë cilësuar si një moment kthese në përballjen e Amerikës me një problem shekullor të dallimeve racore. Sipas anketave, gjysma e amerikanëve të rritur tani thonë se dhuna policore është një problem “shumë” ose “tepër” serioz.
Rafaela Prifti, doli në protesta në Nju Jork, ku jeton prej dekadash, me kureshtjen e antropologes për të mësuar se çfarë qëndrimi mban ndaj kësaj teme komuniteti shqiptaro-amerikan:
“Në protesta unë takova gjimnazistë shqiptarë që kishin dalë aty në formë sporadike, apo individuale, por jo në mënyrë të organizuar,” tregon zonja Prifti.Aktivisti Ilir Zherka përmend një numër emrash të njohur të komunitetit si Mark Gjonaj, Suzana Shkreli e të tjerë, kryesisht figura publike ose me ambicje politike, që janë shprehur për problemin e diskriminimit racor në Amerikë.
Kineasti Nuhi De Stani, pjesëmarrës në protesta, shikon një diskriminim të rrënjosur thellë në sistemin politik amerikan:“Si të bardhë, ne shqiptaro-amerikanët nuk e ndjejmë direkt diskriminimin në bazë të ngjyrës,” thotë zoti De Stani.
Por ai kujton raste kur thotë se e ka ndjerë këtë diskriminim dhe shenjestrim të policisë, thjesht mbi baza identiteti:“Kam qenë duke ngarë makinën dhe më ndal polici i forcave shtetërore të Nju Jorkut, thjesht se sheh në sedilje të ulur nënën me shami në kokë. Kjo e bën menjëherë policin të mendojnë ‘ky nuk është thjesht një amerikan i bardhë. Ky është mysliman’. Më ka ndodhur që të më ndalin dhe të gjendem në konfrontim me policin, thjesht sepse nëna mban shami koke,” thotë zoti De Stani.
Ilir Zherka për vite me radhë ka luftuar për t’u siguruar banorëve të kryeqytetit, Uashington, të drejtën për delegatë në Kongres. Ndryshe nga shtete me popullsi edhe më të vogël se Uashingtoni, kryqyteti me shumicë afrikano-amerikane nuk ka përfaqësim të plotë në organin legjislativ.“Arsyetimi për këtë mohim të votës për banorët e Uashingtonit për shumë kohë se ishte për arsye të races. Njerëzit thonin ‘nuk do t’u japim të zinjve këtë fuqi vote’,” tregon zoti Zherka.
Pjesëmarrësit në demonstrata nuk nxiten thjesht nga padrejtësia racore, thotë zoti De Stani i cili prezantohet si aktivist i kahut progresist. Shumë demonstrues, sipas tij kanë dalë për të denoncuar një Amerikë që po bëhet gjithnjë e më polarizuar ekonomikisht, ku një pakicë gjithnjë e më e vogël kontrollon gjithnjë e më shumë të pasurisë dhe mundësive për sukses.Për shqiptaro-amerikanët me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës, këto protesta mishërojnë një betejë shumë personale që e kanë jetuar në përvojën e tyre.
“Familja ime u largua nga ish-Jugosllavia në vitin 1967, pasi shqiptarët trajtoheshin prej kohësh si qytetarë të dorës së dytë e të tretë. Prandaj identifikohem me thirrjet kundër një trajtimi që uashingtonasit e kanë vuajtur prej kohësh,” thotë zoti Ilir Zherka.Protestat në disa qytete kryesore janë shoqëruar edhe me akte vandalizmi, që janë dënuar si nga vetë organizatorët e demonstrimeve, ashtu edhe nga komuniteti afrikano-amerikan. Për fat të keq, thotë zoti De Stani, situata e komunitetit afrikano-amerikan kërkon masa radikale:
“Askush nuk ta jep lirinë vetë, askush nuk t’i dhuron të drejtat” shprehet zoti De Stani. Ai beson se duhen shpërndarë repartet policore që kanë marrë trajta të njësive ushtarake dhe të rikrijohen në bashkëpunim me komunitetet ku shërbejnë.Kjo nuk është zgjidhje që gëzon popullaritet në komunitet, sipas bisedave që ka zhvilluar zonja Prifti me shqiptaro-amerikanë në Nju Jork.“Një pjesë e brezit shqiptaro-amerikan, të ardhur dhe të rritur këtu, kanë kryer akademi ushtarake, janë punësuar në njësi të ruajtjes apo të mbrojtjes publike. Kur kam biseduar me ta, ata thonë se janë në krahun e forcave policore. Në debatin e hapur për eliminim apo jo të fondeve për policinë, ata kanë shprehur kundërargumentin apo pozicionimin e tyre se në vend që t’i pakësohen këto fonde policisë, duhet të shtohen. Dhe argumenti i tyre është se Nju Jorku është një vend, apo qytet që është shenjestër për akte terroriste,” thotë zonja Prifti.
Aktivisti Ilir Zherka beson se mjetet paqësore mund të sjellin ndryshime rrënjësore. Ai ka shpresa se falë fushatës që ka vazhduar prej dekadash, uashingtonasit mund të fitojnë së shpejti një përfaqësim më të drejtë në organin legjislativ.Zoti Zherka vëren se shqiptaro-amerikanët, në masë të madhe immigrantë të brezit të parë, mbeten të pa-angazhuar në zhvillimet e brendshme të Amerikës:
“Shpresoj që komuniteti do të fillojë të angazhohet më shumë në problemet e brendshme. Nuk ka ndodhur ende, por do të jetë një tranzicion i natyrshëm i një komuniteti imigrant”.Demokracia, shton aktivisti Zherka, është sistemi më i mirë që kemi për të luftuar mentalitetin e klanizmit në çdo shoqëri apo komunitet.