Nga Prof. Dr. Shyqyri Hysi/
a) Tepelena gjatë pushtimit italian gusht 1916 – 21 qershor 1920
Gjatë Luf.tës së Parë Botërore në Tepelenë u vendos vija e frontit midis palëve ndërluftuese. Në fillim të prillit 1916 treva e Tepelenës, në vijën Kalivaç – Vjosë – Qafë Miricë – Qafë Kiçok u përfshi në zonën e pushtimit austro – hungarez. Në gusht 1916 gjithë treva në krahun e majtë të Vjosës ra nën pushtimin e ushtrisë italiane. Nga pikëpamja administrative treva, pas deklaratës së Fereros më 3 qershor 1917, varej nga Prefektura e Gjirokastrës.
Pas tërheqjes së trupoave austro – hungareze, shtator – tetor 1918 gjithë treva në të dy anët e Vjosës u administrua nga pushtuesit italian dhe nënprefektura e Tepelenës. Si nënëprefekt të saj rezultojnë të kenë shërbyer: Sulejman Luzati, Abedin Nepravishta, Ferit Frashëri, Ali Beqiri, Qazim Koculi, Halim Xhelo, Gani Abazi, Veli Dragoti, Abdul Dilaveri, Veli Vasjari etj. Qeveria e Durrësit caktoi si nënprefekt Sulejman Shehun, i cili u vra së bashku me të nipin, kur po kthehej nga Gjirokastra në segmentin e rrugës Luzat – Tepelenë, më 25 mars 1920. Vrasja e tij u bë nga Komiteti i fshehtë “Dora e zezë” osë “nr. 2007”. Trupat u vendosën në sheshin e qytetit dhe mbi trupin e nënprefektit u la një letër ku shkruhej: “Kështu vdesin tradhëtarët”.
Trupat ushtarake italiane në Tepelenë ishin vendosur në Progonat, Matohasanaj dhe Tepelenë. Pas Kongresit të Lushnjes 28 – 31 janar 1920 dhe funksionimit të qeverisë së Sulejman Delvinës organizimi administrativ në Tepelenë ka pasur një fizionomi të qartë në të dy krahët e Vjosës. Në fillim të vitit 1920 Tepelena ushtarakisht dhe administrativisht ishte nën kontrollin e trupave pushtuese italiane. Italianët filluan ta fortifikonin Tepelenën dhe gjithë bregun e djathtë të Vjosës, më 8 maj 1920.
Në 1919 – 1920 në Tepelenë veproi Komiteti i Fshehtë ose nr. 2007 dhe Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Tepelenës nën drejtimin e Baba Ahmet Turanit. Në këto komitetet morën pjesë: Baba Ahmet Turani, Arshi D. Shehu, Haxhi Shehu, Selam Musai, Ibrahim Selimi, Resmi Latif Shehu, Sheh Ali Bënça(Shehu), Riza Runa, Shefqet Sadullai, Shaqo Llapi, Xhafer Meta, Rakip Duka, Dervish Xhaferi, Qazim Hitaj, Dervish Seit Gusmari etj. Aktiviteti atdhetar në Tepelenë u rrit gjatë vitit 1920. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe fillimit të Konferencës së Paqes 18 janar 1919, u organizuan disa mbledhje të fshehta si në: Teqenë e Turani( mars 1919, janar e prill 1920), Qafën e Trash(tetor 1919), shtëpinë e Arshi Shehut(nëntor 1919 mars 1920), Krahës(janar e mars 1920), Nivicë 26 maj 1920 dhe Gusmar 27 maj1920. Tepelena dërgoi në Kongresin Kombëtar të Lushnjes dy përfaqësuesit e saj Dervish Seit Gusmarin dhe Arshi D. Shehun. Menjëherë pas kthimit të trye nga kongresi në trevën e Tepelenës u shtua aktiviteti atdhetar. Kështu më 17 maj 1920 lekdushasi, Ramadan Habili ngriti në pazarin qytetit “flamurin kuqezi, flamurin kombëtar”. Autoritetet italiane përdorën gjithë arsenalin ushtarak dhe synonin të rivendosnin pushtetin e tyre mbi qytetin që zjente nga revolta popullore.
Një nga kuvendet e asaj periudhe përmendim Kuvendin e Gusmarit. Ai u mblodh më 27 maj 1920 në shtëpinë e atdhetarit Tahir Belulit. Në këtë kuvend morën pjesë: Baba Ahmet Turani, Sulo Beqiri, Selam Musai, Xhafer Meta, Musto Buxo, Rakip Duka, Kanan Malo, Adem Muhameti, Belul Zeneli, Rasho Mirtja, Mustafa Roshi, Dule Dalani… etj. Në këtë kuvend kishin përfaqësuesit e tyre fshatrat e Kurveleshit dhe Labërisë e më gjerë si: Nivica, Rexhini, Salaria, Dukaj, Turani, qyteti i Tepelenës, Picari, Vëmiku, Progonati, Gusmari, Golemi, Bolena, Kallarati, Kuçi, Kolonja, Fterra, Lekdushi, Zhulati, Fushëbardh, Krahësi, Toç, Bënça, Damsi etj. Nga Vlora me cilësinë e të deleguarëve merrnin pjesë: Halim Xhelo Tërbaçi, Gani Aliko, Kanan Maze dhe Hazbi Çano. Tepër kuptimplotë është zgjidhja e problemit të ushqimit për luftëtarët dhe burrat e kuvendit dhe për luftëtarët e Luftës kombëtare të Vlorës. Kuvendi vendosi formimin e çetave mbi bazë fshati. Ngritja e çetave në trevën e Tepelenës, filloi qysh më 13 maj në Dorëz. Në historikun e këtij fshati lexojmë: “…më 13 maj u ngrit çeta e fshatit Dorëz. Çeta përbëhej nga 39 luftëtarë”. Çetat e Kurveleshit të Sipërm u krijuara më 27 maj në Gusmar dhe kishin për destinacion frontin e Vlorës.
Në Kuvendin e Gusmarit dëgjoheshin thirrjet: “O Vlorë, o vdekje!”, “Ja do bëhet Vlora jonë, ja do bëhet shkrumb e hi!”. “Vlora – Vlora!”, “Drejt Vlorës!” etj. Thirrje të tilla ishin dëgjuar më 17 maj në Tepelenë, pothuajse në çdo fshat në ditët e para të qershorit dëgjoheshin thirrjet që vullnetarët u bënin njeri-tjetrit: “O burrani të shpëtojmë Vlorën!”, “Përpara o djem, në Vlorë, në Vlorë”. Kur çetat shkuan në Beun, Komisioni Ushtarak bëri riorganizimin e tyre. Komiteti Mbrojtja Kombëtare vendosi që çetat të grupoheshin sipas strategjisë: “kush ishte poshtë numrit 20 të bashkoheshin me fshatin më të afërt” dhe të formoheshin batalionet ose taboret. Ky mendim u mirëprit edhe nga komandantët e çetave. “Komisioni ushtarak aprovoi strukturën organizative të çetave të Tepelenës, duke i pasur forcat e pesë fshatrave të Lopsit në një çetë, e cila u quajt Çeta e Lopsit dhe forcat e Salarisë, Dukajt e Turanit në një çetë, e cila u quajt Çeta e Salarisë, meqënse Salaria kishte shumicën. Komandant i çetës së Lopsit u aprovua Dule Dalani, kurse komandat i çetës së Salarisë u aprovua Selam Masuai. Selamin e caktuan komandant të dy çetave, ose Taboreve të Tepelenës”.
Në fakt, në Luftën Kombëtare të Vlorës 1920 kishte katër taboreve tepelenase, që përfsaqësonin çetat e:
1) Kurveleshit (Nivicë, Rexhinë, Gusmar, Progonat dhe Lekdush);
2) Lopsit(Dhëmblan, Matohasanaj, Dorëz, Sinanaj, Lab- Martalloz). Pas vrasjes së Dule Dalanit dhe ardhjes së forcave të reja nga Tepelena, më 21 qershor me këto çeta u bashkua edhe Luzati, komisioni caktoi si komandant Dervish Xhaferin;
3) Salarisë (Salari, Dukaj, Turan, Bënçë, Tepelenë);
4) Vërri Koll ose të krahut të djathtë të Vjosës ku u përfshin të gjithë çetat e tjera (Damsi, Krahësi, Toçi, Mezhgorani, Dragoti, Beçishti, Buzi, Kalivaçi dhe luftëtarët nga Levani, Qesarati, Koshtani, Xhaxhaj, Xhafaj, Vasjari, Kamçishti, Arrëza, Shalësi, Rabija, Komari, Zhapokikë, Xhafaj, Maricaj etj).
Disa prej komandantëve të çetave të fshatrave të tepelenës janë: Selam Musai – Salari, Dule Dalani – Dhëmblan (Lops), Riza Runa, Shaqo Llapi, Myslym Kaçupi – Nivicë, Xhafer Meta e Rakip Duka – Gusmar, Musa Buxo dhe Neki Daci – Progonat, Ibrahim Selimi dhe Kalo Brahimi (Xhaferi) – Krahës, Sheme Halili – Toç, Remsi Latifi – Damës; Belul Zeneli – Lekdush, Haredin Shuaip Shameti, zv. komandant Sinan Rustem Rustemi dhe Hysni Lamaj – Dorëz, Hekuran Braho Rroshaj – Matohasanaj, Dervish Xhaferi – Luzat, Reiz Skëndi – Shalës, Sheh Arrëza Arrëz etj. Po kështu, forcat e zonës në të djathtë të lumit Vjosë u organizuan në një çetë nën drejtimin e Resmi Latifit. Ai konfirmon se: “Më kujtohet se në çetë bëbin pjesë… 150 vetë”.
Atdhetari tepelenas Arshi D. Shehu në kujtimet e tij shkruan: “Pas 18 majit menjëherë filluam përgatitjet për kryengritjen e armatosur. Kësaj thirrjeje fshatarët iu përgjigjën me ngrohtësi. Sipas udhëzimeve që na erdhën edhe nga Vlora, Tepelenën do ta rrethonim me forcat tona vullnetare, të cilat arritën në rreth 600 – 700 vetë. Çetat e Kurveleshit të Poshtëm kishin 150 veta, ato të Tepelenës po ashtu 150 vetë. Kurse nga Këlcyra dhe krahina matan Vjosës mbi 300 shpirt fshatarë të armatosur.” Sipas llogaritjeve rezulton se, Tepelena kishte 1158 luftëtarë në Luftën Kombëtare të Vlorës 1920.
b)Tepelenasit në luftën e Qafës së Koçit dhe Selam Musai
Lufta në Qafën e Koçiut është konsideruar një betej epike e Luftës Kombëtare të Vlorës 1920. Në atë betejë shkëlqeu heroizmi i patreguar i popullit tonë, sakrificat dhe guximi duke mos kursyer as jetën për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut. Në luftimet e para të 5 – 6 qershorit çetat tepelenase udhëhiqeshin nga komandantë me përvojë në luftrat kundër pushtuesve. Ato morën pjesë në: Luftimet për çlirimin e Matohasanajt, Gjormit, Drashovicës, Kotës, Vajzës dhe të Mavrovës. Në këto luftime u dallua çeta e Nivicës, e cila kapi rob edhe shtabin e ushtrisë italiane. Forcat tepelenase në Kotë ishin nga Salaria, Nivica, Gusmari, Progonati, Dukaj, Turani, Toçi e Krahësi dhe disa luftëtarë nga fshatrat e tjera të Tepelenës(Kalivaç, Qesarat, Vasjar, Kamçisht) pa u organizuar nëpër çetat me bazë fshati. Pozicionet e çetave të Tepelenës në Kotë ishte “buzë rrugës”. Ato udhëhiqeshin nga: Selam Musai, Riza Runa, Rakip Duka, Xhafer Meta, Cane Duka, Shaqo Llapi, Myslym Salia, Ibrahim Selimi, Sheme Halili etj. Në këto luftime forcat e Kurveleshit të Sipërm, sipas kujtimeve të Riza Runës hynë brenda kampit ushtarak italian. Një ushtar italian që u kap rob u dërgua tek gjeneral Gotti, i cili sapo doli në shkallë për të biseduar me R. Runën, u qëllua nga nivicioti Riza Canja sepse “nuk e kuptoi që ai dhe ushtria e tij po dorëzohej.” Luftëtarët e zonës së Sinanajt e detyruan garnizonin italian të Matohasanajt të dorëzohej, më 6 qershor 1920.
Gjatë mësymjes së përgjithshme të 11 qershorit 1920, që filloi në orën 22, forcat kombëtare të luftëtarëve shqiptarë u ndanë në tre drejtime. Në grupimin e dytë, apo në grupimin qëndror luftonin edhe çetat tepelenase e kurveleshase, që kishin shkuar deri atëhere në frontin e Vlorës. Fronti ishte shumë i gjatë, rreth 8 km dhe fillonte nga lartësia 310.4 m deri në qytetin e Vlorës. “Detyra kryesore e këtyre forcave- shkruajnë Sh. Leka e B. Zotaj -ishte pushtimi i kodrave në lindje të Vlorës, marrja e të cilave të nxirrte, në lartësitë direkt mbi qytet. Objektivi kryesor në këtë sektor ishte Qafa e Koçiut dhe Vreshtat e Mëdha.”
Studiuesi Rahmi Memushi në punimin “Historia e Kurveleshit I” shkruan: “Çetat e Kurveleshit të Sipërm dhe të Tepelenës që kishin si objektiv Qafën e Koçiut, u ndanë më trish: Selam Musai me 57 tepelenas mori nga e majta. Çeta e Gusmarit dhe e Lekdushit me pak progonatas në qendër dhe Riza Runa me çetën e Nivicës- Rexhinit, me çetën e Libohovës e të Nepravishtës në të djathë deri në Babicë të Vogël”. Çetat e rreshtuara në Babicë dhe Qafën e Koçiut filluan të parat sulmin. Selam Musai u bënte thirrje luftëtarëve: “O burrani, në Vlorë”, “Përpara o djem, drejt Vlorës”. Selami si starteg dhe “nishanxhi” që ia hiqte syrin skfterit sa ia shihte, qëlloi dhe theu prozhektorët që bënin dritë mbi luftëtarët. Populli e ka përjetuar edhe këtë moment në këngët e veta: “O Selam zemrën me çika. – Bëre alitrikun çika”. Breshëritë e plumbave dhe gjyleve të topave vunë në rrezik jetën e luftëtarëve kombëtar. Zjarri i armëve të kalibrave të ndryshëm e ndezi flak vendin. Kënga popullore këtë moment e ka përjetuar: “O xha Selami na vranë” dhe po kënga përgjigjet: “Jo djemë se kini xhaxhan”.
Heroizmi dhe furia e këtyre çetave bëri që forcat italiane të tërhiqen drejt Vlorës. Këto forca shkuan deri tek bregu i Babicës dhe aty qëndruan. Sulmi u ndërpre për shkak se frontet e tjera, veçanërisht fronti në krahun e djathtë nuk funksionoi. Dokumentacioni i kohës konfirmon: “Çetat e Kurveleshit të Sipërm arritën deri tek bregu në Babicë dhe aty u ndaluan, pasi çeta e Mallakastrës dhe e Mavrovës në të djathtë nuk vepruan.”
Gjatë atyre luftimeve luftëtarët shqiptarë treguan një shembull të lartë heroizmi dhe sakrifice, “duke kapërcyer telat me gjemba me gjatësi 2 – 3 metra.” Ata u shtruan gunat e sharqet e tyre dhe zunë llogoret e topave dhe mitrolozave italianë që ishin tepër të fortifikuara. Këto veprime mahnitën gjithë botën. Shtypi i kohës shkruante: “Selam Musai me 12 veta mori Kusbaban dhe u fut brenda në llogore e në qytet.” Por, u rrethua dhe nuk mundi të dilte prej andej. Nga 12 personat që përparuan së bashku më Selamin, shumica ishin salariotë. Emrat që kam mundur të evidentoj janë: Memë Sherifi, Ibrush Muçaj, Dule Dalani, Shefqet Islami(Shehu), Xhafer Guxo Meta, Hyso Demiri, Teme Gogaj, Mane Tahiri, Turabi Caush Halili, Sheme Halili dhe Rushit Goxhua. Për Rushitin kënga popullore thotë: “Të shtunën që më saba,/ Ç’u vra Rush (Rushit Sh. H)Goxhua!/ Briti, o Selam Musa!/ Merrëm hakun o vëlla!”
Deri më sot nuk ka një version të sigurt se, si u vra Heroi i Popullit Selam Musa Salaria. E sigurt është se: “Selami me pak veta nuk kaloi nga rruga, por mbi telat dhe u fut në llogoret italiane. …vuri re se aty ishte një top dhe s’bashku me Memë Sherifin e Shefqet Shehun(Nivicë), u derdhën për tek topi, predha e të cilit i shkoi Selamit shumë afër dhe e shurdhoi.”
Pasi qëlloi me manxerrin e tij, nuk kishte kohë ta rimbushte, ndaj përdori revolverin dhe arriti t’i vinte ushtarët italianë përpara. Mirëpo, italianët u hodhën përsëri në sulm. Koloneli që udhëhiqte ushtarët u ndodh ballë për ballë me Selamin. Selami kur e pa se s’kishte fishekë,“mbërtheu dyfekun me të dy duartë nga tyta dhe, me sa fuqi kishte, e goditi atë me qytë, e rrëzoi posht dhe e vrau.” Komanda italiane e shqetësuar për frikën që morën ushtarët, hodhi mbi pozicionet që mbante Selami me shokë forca të freskëta dhe oficerë të shumtë: arditët, autoblindat dhe vuri prozhektorët që ndriçonin vendin. Selami me shok u gjendën mes dy zjarreve. Aty për aty vendosën të mbronin shpinën dhe arritën të siguronin krahët. Po, nga ana tjetër përparuan forcat e tjera dhe ndeshja u bë trup me trup. Selami pa një marshall që i drejtoi revolverin, iu hodh përsipër dhe e qëlloi me thikë në grykë. Kënga popullore e përjetësoi atë moment si vijon: “Te ullinjtë përmbi spital,/ zure një marshall të gjallë”. A. Agalliu thekson: “Çeta e Selam Musait depërtoi shumë thellë në qytet. Ai erdhi deri në vendin që quhet Tregu i Orizit… dhe me sokëllimë i shkulli amiqtë nga llogoret duke i vënë përpara si lopët.. … sokëllima e tij ndezi gjakrat e qytetarëve vlonjat, … Qazim Lelo hapi zjarr nga dritaret” mbi ushtarët që iknin në panik dhe ra dëshmor në lagjen e re.
Në materialet e Muzeut të Tepelenës lexojmë: “Selami u fut në pozicionin e një topi, asgjesoi disa prej ushtarëve, kurse të tjerët e lanë topin dhe ikën. Mbi topin e kapur ai vendosi një flamur”.
Enigma e vrasjes së Selam Musait ka shoqëruar shekullin. Por, cilat janë versionet e vrasjes së “Heroit të Popullit” dhe “Nderit të Kombit” Selam Musa Salarisë?
Sipas Xhafer Matukës, referuar një luftëtari niviciot rezulton se: “…kur ishim të rrethur nga shumë ushtarë, Selami pa një gjeneral që nxiste ushtarët me pistoletë në dorë. Ju drejtua atij dhe e qëlloi, por edhe gjenerali, si dhe shumë ushtarë e qëlluan Selamin.” Këtë fakt e përmend edhe kënga popullore: “Ball për ball me gjeneral,/ Flakën sho-shoqit ja dhanë”.
Progonatasi, O. Danaj në kujtimet e tij thekson se: “Selami zuri Kusbabanë dhe ra dëshmor”. Mirëpo, në kujtimet e veta A. Canja thotë se: “Selami me 12 shokë shkoi deri në Tregun e Orizit dhe me sokëllima tmerroi italianët që morën arratinë dhe nxiste vlonjatët të dilnin të luftonin”. Të njëjtën gjë konfirmon veterani Abdyl Agalliu në shkrimin: “Bëhej dyfek në Vlorë”. Ai shkruan: “Çeta e Selam Musait depërtoi më thellë në qytet . Ai erdhi në vendin që quhet Bregu i Orizit, afro 100 metra mbi qytet, dhe me sokëllima i shkuli armiqtë nga llogoret, duke i vënë përpara si lopët. Sokëlimat e Selam Musait ndezën gjakrat e qytetarëve në prapavijë.”
Në dokumentacionin e kohës pëmenden format e mbrojtjes së llogoreve dhe reparteve italiane. Veterani Beqir Velo shkruan: “Garnizonet qenë të rrethuara me rrjeta teli me gjëmba, ku kishin vënë edhe mina.” Në sulmin e fundit pasi qëlloi mbi gjeneralin, Selami në vrap e sipër shkeli mbi mina dhe u hodh në erë. Kënga Popullore thotë: “I shkret Selam Musa!/ U fut në flakë e s’u pa!” Në një material të muzeut të Tepelenës theksohet: “Bomba të shumta plasën rreth tij. Dhjetra pushkë, mitrolozë e topa zbrazeshin pa pushim. Kodra u ndez flak dhe Selami u humbi nga sytë luftëtarëve të çetave”.
Selami mbeti i vrarë së bashkë me shokët që kish me vete, 12 burra shumica salarjotë. Në kujtimet e veta Riza Runa thotë se: “Selami u vra vet i shtatë”. Ushtarët italianë e morën trupin e Selamit dhe e dogjën me Vajguri. Këtë fakt e konfirmoi një grua vlonjate. Në kërkim të trupit të Selamit u vunë salariotët së bashku me vëllanë e Selamit, Dulen. Kur Dulja u fut në një shtëpi vlonjate që vajtonte të zotin, ai mësoi se: “…trupat e Selamit dhe të burrit të saj i morën ushtarët italianë”.
Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare krijoi një komision për të kërkuar trupin e Selamit për tre ditë. Ata i kërkuan edhe komandës italiane të dorzonin trupin e Selam Musait. Në kujtimet e tij Gani Abazi shkruan: “Me t’u bërë ditë u rrethuan nga italianët dhe nuk dihet me siguri ç’u bë trupi i Selam Musait. Komisioni bëri hetime, por nuk dhanë rezultat. Dihet se italianët kufomat i digjnin.” Këtë moment e përjeton edhe kënga popullore: “Me dorë dot nuk të zijnë,/ Të hodhë flakë e benzinë, trupin seç ta zhurinë.” Në këtë linjë është edhe një nga pjesëmarrësit më aktiv të kësaj epopeje Ago Agaj. Ai konfirmon të njëjtën gjë: “ Shokët e tij kërkuan shumë e sidomos Isuf Rustemi nga Mavrova dhe dy burra nga Mallakastra e Butë, … këta të tre e kërkuan aqë shumë sa i zuri dita dhe nata tjetër. Më vonë u tha se trupi i Selamit me shokë ishte djegur me benzinë prej ushtrisë armike, gjë që ngjan të jetë e vërtetë se dhe pas luftës kur vendi u kërkua me nge, nuk u gjet asnjë nishan.” Fatkeqësisht trupi i Selam Musait nuk u varros, sepse trupi i tij nuk u gjet. Por, gjaku dhe shpirti i tij janë përherë në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e nderit, lirisë dhe pavarësisë së vendit.
dh)Kur po sulej mbi ushtarët dhe gjeneralin italian, Selamit të plagosur rëndë, një predhë i kaloi fare pranë dhe e shurdhoi. Ai vuri re ushtarët që po rimbushnin topin. U lëshua mbi ta, qëllonte me “dyfek dhe ushatrët i mori lemeria”. Selamit iu mbaruan fishekët dhe nxori koburen e u lëshua si shqiponjë mbi llogoret e topave, “…i vuri përpara si lopët”, thotë A. Agaraj. Mirëpo, ishte përpara tytës së topit dhe predha e mori me vete. Këtë moment e ka përjetuar edhe kënga popullore: “Ç’e zure topin nga gryka. Lule more Selam, Lule!” Veterani A. Agalliu e konfirmon këtë akt si një akt heroik. “Midis dëshmorëve,(580 dëshorë Sh. H) –shkruan ai, ka heronj si Selam Musai, që zuri topin nga gryka.” Ka kaluar një shekull dhe tradita e këngët popullore i njohin Selam Musait aktin heroik të hedhjes mbi topin italian në llogoret e fortifikuara rreth Vlorës. Kjo nuk është një legjendë, por një ngjarje epike që dëshmon për kurajon sublime të këtij heroi, që sot mban titullin “Nderi i Kombit”.
c)Lufta për çlirimin e Tepelenës 25 maj – 21 qershor 1920
Qyteti i Tepelenës dhe kalaja e Ali Pashës ishin pika startegjike më lindore e pushtuesve italianë në maj – qershor 1920. Në kalanë e Tepelenës ishin dislokuar forcat e “Batalionit 72 – tës Ifanteri, një seksoin Artilerie e të 57 – tës, Bateri malore dhe një stacion Karabinerësh. Komanda ushtarake italiane në Tepelenë, kishte marë masa të shumta inxhinierike dhe fortifikurese. Italianët hapën llogore të thella, ndërtuan gjerdhe me tela me gjemba dhe përqëndruan trupa ushtarake si: “…këmbsorie, karabinerie, reparte altilerie, mitraloza të rënd dhe armë të tjera special. …tri autoblinda etj, gjithëse 301 ushtarë.”
Forcat e ushtrisë kombëtare nga trevat përreth: Kurveleshi, Labëria, Toskëria, Këlcyra, Përmeti, Gjirokastra, Mallakastra, madje edhe me bandën muzkore të Vatrës, që erdhi nga SHBA, u nisën drejt Tepelenës, më 17 – 20 maji 1920. Ato mendonin se do të marrnin paqësisht në dorzim qytetin nga trupat e garnizonit italian,që ndodhej në Kalanë e Ali Pashës. E informuar për lëvizjen atdhetare, grumbullimin, marshimin drejt Tepelenës dhe vendosmërinë për çlirimin e saj, komanda italiane qëllonte në distancë të largët me top. Kujtojmë që në kalanë e Tepelenës gjendeshin dy topa dhe në Matohasanaj po dy.
Në Luftën për marrjen e Kalasë së Tepelenës morën pjesë edhe forcat e krahinës së Krahësit, Buzit dhe Dervenit të komanduar nga: Resmi Latifi, Ibrahim Selmani, Kalo Brahimi, Sheme Halili, Riza Skëndi, Maliq Rizai, Shehu i Arrzës etj. Në një njoftim të datës 3 qershor 1920, që nënprefektura e Mallakastrës i dërgonte MPB theksohej: “Fuqia kombëtare së bashku me bandën muzikale më 17. 5. 1920, u nis për në Tepelenë. Kur arritëm tek portat e qytetit fuqia e altilerisë e italianëve, nga fortesa e vjetër e Tepelenës qëlloi me top dhe mitroloz…Më 27.05. 1920 fuqia e altilerisë me dy topa mali që ka vendosur në fshatin Dhëmblan, bombardoi shkëmbinjtë e Dhëmblanit, duke hedhur 30 – 40 predha, pra atë ditë qëlloi 7 herë me topat e përmendur fushën e Shehajt, lagje e katundit Toç”. Po ashtu në Tepelenë erdhi edhe Riza Cerova e Muço Kapinova me një kontigjent luftëtarësh skrapallinjë. Fotot e dala ditën e çlirimit në Kalanë e qytetit e konfirmojnë këtë.
Forca të shumta erdhën nga Kurveleshi i Sipërm. KMK në Beun dërgoi si komandant të këtyre forcave Veip Runën me disa niviciotë që kishin shkuar në Beun. Ago Agaj në kujtimet e veta shkruan: “Fuqitë e pakta të Kurveleshit të Sipërm, kryesisht prej Nivice e nën kryesinë e Veip Runës, u dërguan për të ndihmuar rrethuesit e Tepelenës.” Në Pallçie qëndronin forcat e Lekdushit, Golemit, Progonatit, Picarit e Koronit. Ndërsa shtabi me në krye Baba Ahmetin ishte tek ura e Bënçës.
Në fushën e Veliqotit ishin mbledhur nën drejtimin e Baba Ahmet Turanit rreth 400 veta dhe prisnin të hynin në Tepelenë. Në mbasditen e 25 majit tenenti italian njoftoi autoritetet e ardhura nga Gjirokastra, Kiço Koçin, Abdul Dilaverin dhe korespondentin e gazetës “Drita” të Gjirokastrës; “… se do të qëllonte me top luftëtarët e mbledhur në fushën e Veliqotit”. Paria e Tepelenës dhe autoritetet e ardhura nga Gjirokastra kërkuan takim me majorin Italian, “…Ai i priti në portë dhe nuk i lejoi të hynin në kala, madje u shpreh se do të zbatonte urdhërin e Vlorës për të qëlluar me top”. Duke ju referuar kujtimeve të babait të tij, Novruz Musa Rukës, regjizori Petrit Ruka shkruan: “Ishin mbledhur në fushën e Veliqoti, përballë Tepelenës mbi katërqind e ca burra dhe prisnin nga qyteti lajmin që do binin ata që kishin vajtur të llafoseshin me kolonelin për t’u dorëzuar garnizoni. ….kur befas kërkëlliu mitrolozi dhe na fishkëllyen plumbat mbi kokë….por ndësa të gjithë u shtrinë, një burrë kish mbetur si lis në këmë(Baba Ahmet Turani SH. H). Qëndroi ashtu si qiparisë ngriti kokën lartë nga qielli, hapi në erë me të dy duartë harkanë e tij dhe bërtiti me sa fuqi që pati kraharori. “Hajde Jezit, hajde breshkaman, qëllo e merrëm, po të kam ndonjë borxh, që më ke zaptuar vatanin tim!” Në kët kohë Teqeja e Turanit ishte meka e Shqiptarizmës dhe Baba Ahmet Turani udhëheqësi , organizatori dhe frymëzuesi i Lëvizjes Kombëtare.
Me këto forca u rreshtuan edhe kuçiotët. Në kujtimet e tij veterani Jaho Gjoliku shkruan: “Çeta jonë në fillim zuri vend në afërsi të Tepelenës. Të njejtën gjë konfirmon edhe diplomati Hasan Luçi, ai thekson: “Fshati i Kuçit u mblodh në një kuvend më 31 maj në Grabovë…..simbas detyrave të KMK të Vlorës, forcat e Kuçit(katër çeta) u ndanë në dy drejtime: një çetë me Jaho Gjoliku shkoi në çlirimin e Tepelenës….”
Atë ditë(25 maj) populli i qytetit të Tepelenës e kishte zbukuruar qytetin me flamuj kombëtar. Për të pritur ushtrinë kombëtare të Tiranës dhe popullin e trevave përreth që ishte armatosur dhe priste dorëzimin e garnizonit Italian, kishin dalë edhe nxënësit e shkollës me tufa me lule. Gra, nëna me foshnje në krahë dhe prisnin nga çasti në çast dorëzimin e qytetit dhe të kështjellës. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës, siell në vëmendje momentet e asaj dite. Ajo shkruan: “Po sjellja e tyre(italianëve dhe milicëve Sh. H) më barbare u bë duke shkelur nën këmbët e kuajve foshnjat e shkollave që po prisnin ushtrinë kombëtare”.
Në përbërje të ushtrisë kombëtare shqiptare që morën pjesë në luftën për çlirimin e Tepelenës ishin çetat e vullnetarëve të fshatrave: Mezhgoran, Damës, Dragot, Beçisht, Kashisht, Arrëz e Vogël, Arrëz e Madhe, Lekës, Kalivaç, Qesarat, Maricaj, Hormovë, Kodër, Luzat, Bënçë, Veliqotë, Turanë, Dukaj, Memaliaj, Shalës, Xhaxhaj, Zhapokikë, Luftinjë, kishte vullnetar nga qyteti i Tepelenës nga krahina e Kurveleshit të Sipërm, nga zona e Buzit, Krahësit, Këlcyra, Përmeti, Skrapari, Gjirokastëra etj. Forcat e Skraparit komandoheshin nga atdhetari Riza Cerova e Muço Kapinova. Ato më 17 qershor 1920 së bashku me trupat ushtarake të qeverisë së Tiranës erdhën në Tepelenë dhe zunë frontin në pjesën jugore të qytetit. Me këto forca u bashkua edhe luftëtarët e Gjirokastrës. Së bashku me këto forca ishtin edhe batalioni i “Vatrës” e Banda Muzikore e shqiptarëve të SHBA – së. Thoma Nasi në kujtimet e veta: “The Vatra Band and Albania” shkruan: “Problem mbeti Tepelena. Djemtë e ardhur nga Amerika e morën në sy rrezikun dhe u bënë gati të niseshi ndrejt Tepelenës. Bashkë me ta ishin edhe vullnetarët, bijtë e veteranëve. Forcave u prinin dy gjeneral shqiptar të ish ushtrisë turke. Ndërkohë gjithë populli ishte ngritur në këmbë për të nxjerrë italiantët jashtë kufijëve.”
Për çlirimin e qytetit të Tepelenës dhe kështjellës së saj, ku ishin dislokuar 301 ushtarë italian, nënprefektura e Tepelenës nëpërmjet zvendësnënprefektit Abdul Dilaveri, ka bërë një relacion drejtuar MPB. Raporti theksonte: “Sikundër që dihej, qyteti dhe fortesa e Tepelenës prej dy javësh ndodhej nën rrethim të fuqive të çetave ushtarake të mbrojtjes kombëtare, prej një fuqie 700 vetësh…
Por italianët, mbasi kishin mbetur të shtërnguar nga ushqimi dhe nga ujët, më 19. VI. 920 nxorën një officer jashtë fortesës si parlamentar për t’u marrë vesh me kryetarët e çetave të ushtrisë kombëtare përmbi bazat e pamjes me sytë e vet të viseve që ishin forcuar prej italianëve dhe në ngjarjet e fundit të pushtuara nga fuqitë kombëtare mbasandaj të kthehej t’ia bënte të ditur me një raport komandantit, majorit italian, që ish mbyllur në fortesë të Tepelenës; dhe kështu u vendos prej komisionit kombëtar, që i nënëshkruari ta shoqëroi oficerin italian, për pamjen e viseve të pushtuara deri në lumë të Drashovicës. Më 21 të k.m. u kthyem në qëndrën ushtarake kombëtare, duke i dhënë 3 orë leje komandantit italian, o dorëzim o luftë. Mbi këtë energji italianët ora 4, 30 m.d., nxorën parlamentarin nga fortesa, për bisedime mbi bazën e dorëzimit, dhe kështu mori fund çështja e dorëzit të qytetit dhe fortesës në duar të fuqisë kombëtare. Me ndihmë të fuqiplotit të madhit zot dhe me vullnetin e popullit të kësaj krahine, qyteti dhe fortesa e Tepelenës ora 6, 30 m. d., me një gëzim të madh dhe me brohori e lumturi dhe lot gëzimi të popullit ra në duart e fuqive shqiptare. Shuma e ushtarëve dhe oficerve italian nën kryesinë e majorit ishte 270 vetash; brenda në fortesë u gjendën këto material lufte: 2 kanone, 12 mitraloza, 9 mitraloza dore, 300 dyfekë, municion topash, pushkësh etj. Rënien e kalasë së Tepelenës e pasqyroi edhe shtypi i kohës. Gazeta “Drita” që botohej në Gjirokastër datë 21 qershor 1920 njoftonte lexuesit se: “Më 21 të muajit, ora 4 p.m. ushtria italiane në fortesën e Tepelenës, u dha në duartë e shqiptarëve.
Kalanë e morën në dorëzimi dy ushtarakë: Azis Çami dhe Neki Daci. Me këtë rast po botojmë edhe dy fotgrafi të bëra para kalasë së Teplenës ditën e çlirimit, më 21 qershor 1920.
Tepelena i dha Lëvizjes Kombëtare 1918 – 1920, 23 dëshmorë, 17 të plagosur, një “Hero të Popullit” Selam Musa Salaria, një “Mësues të Popullit” Sali Nivica(Rexhini – Xhebra) dhe tre “Nderi i Kombit” Selam Musai, Sali Nivica dhe Jaho Sinani (Dukaj).