Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka sqaruar se vizita e tij në Uashington, e cila përkoi në të njëjtën periudhë në të cilën pritej të mbahej dhe takimi i parë për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, ishte parashikuar kohë më parë, por që ishte pamundësuar nga pandemia e COVID-19.

Cakaj e bëri këtë sqarim gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin Edi Rama pas përmbylljes së vizitës dyditore që ky i fundit zhvilloi në Kosovë.

Ai madje përcolli edhe 3 mesazhe nga i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun.

“Vizita nuk ndërlidhej drejtpërdrejtë me çështjen e Kosovës, sepse në Uashington kam qenë për të diskutuar edhe një varg projektesh bilaterale dhe një varg çështjesh të tjera që lidhen me angazhimet tona ndërkombëtare. Kemi biseduar për ngritjen e Akademisë së Transparencës, kemi dhënë informacione të përditësuara për progresin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian, po ashtu kemi biseduar për koordinimin në kuadër të kryesisë shqiptare të OSBE-së dhe për sigurimin e mbështetjes ndaj synimit tonë historik për të siguruar një ulëse të anëtarit jopermanent në Këshillin e Sigurimit për vitin 2022-20223,” – u shpreh Cakaj.

Ministri Cakaj zhvilloi javën e shkuar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku pati takime me tre zyrtarë të lartë të politikës së jashtme amerikane.

Fillimisht takoi Ambasadorin Amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është njëherësh edhe përfaqësues i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Më pas takoi ndihmës-Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker dhe zëvendësin e tij Matthew Palmer, i cili është njëherësh edhe i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë Cakaj theksoi se vetëm takimi me Grenellin ishte një takim ku u fol edhe për Kosovën.

“Nga atje kam tre mesazhe, e para nuk ka marrëveshje sekrete, dhe për motive të konsumit të politikës së brendshme nuk ka nevojë të abuzohet me një temë të interesit kombëtar, e dyta nuk ka ndarje të Kosovës e kush i ka sytë në ballë e mendtë në kokë nuk beson se as qeveria e Shqipërisë dhe askush në Kosovë nuk bën plane në llogari personale për ta ndarë Kosovën, këtë ta keni të qartë, e këtë po e sjell si mesazh direkt nga Uashingtoni, e treta, nuk ka nxitim për një marrëveshje të shpejtë në dëm të Kosovës për çfarëdolloj interesi elektoral në SHBA, për shkak se duhet ta kuptojmë realisht pozicionin që kemi në agjendat ndërkombëtare, por duhet ta kemi parasysh se koordinimin me Shtetet e Bashkuara është jetik për të bërë më të mirën për Kosovën,” – theksoi me zell Cakaj mesazhet e Grenellit.