Sot në Serbi po zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Fillimisht zgjedhjet ishin planifikuar për t’u zhvilluar në prill, por për shkak të COVID-19 u shtynë. Rreth 7 milionë qytetarë me të drejtë vote do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur parlamentin e ri prej 250 deputetësh.
Favorite për të fituar është partia e drejtuar nga Presidenti Aleksandër Vuçiç, në vendin e dytë me diferencë shumë të madhe renditet partia e Ivica Daçiç. Opozita është e ndarë midis radikalëve që kanë shpallur bojkotimin e zgjedhjeve dhe disa partive të vogla. Vuçiç është në pushtet prej tetë vitesh.Me interes të veçantë nga shqiptarët pritet ajo që do të ndodhë në Luginën e Preshevës, teksa partitë shqiptare janë të gjitha pjesë e listës së Luginës së Bashkuar. Për zgjedhjet parlamentare në Serbi, votimet janë organizuar të mbahen edhe në Kosovë, në veri të Mitrovicës në 22 vendvotime.