Albpetrol sh.a ka realizuar me sukses ankandin për shitjen e 48.000 ton naftë brut. Fituesi i ankandit është shpallur kompania “Allum Enterprises”, e cila ka dhënë ofertën më të lartë.
Gjatë muajve të mëparshëm, tre procedura ankandi, nuk arritën të finalizoheshin me sukses duke krijuar probleme me kapacitetet depozituese të naftës bruto dhe gjendjen financiare të Albpetrol sh.a. Realizimi me sukses i ankandit vjen në një moment shumë të rëndësishëm për industrinë e naftës në Shqipëri.
Pas bllokimit disa javor për mungesë të kapaciteteve depozituese dhe uljes të konsumit të shkaktuar nga Pandemia e COVID-19, realizimi me sukses i kësaj kontrate do t’i japë frymëmarrje jo vetëm Albpetrol sh.a, por edhe kompanive të tjera të prodhimit dhe përpunimit naftës në vend. Kjo pasi do të lirohen kapacitetet depozituese; do të rifillojë prodhimi i karburantit në vend dhe industria e naftës do të rikthehet në normalitetin e saj operacional.