Nga Ruben Avxhiu/
Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është historia e një kolonie e cila jo vetëm që arriti të fitonte lirinë dhe pavarësinë e saj duke mposhtur fuqinë më të madhe të kohës, por u rrit dhe u forcua aq shumë saqë ia zuri edhe vendin ish-kolonizatores së saj si fuqia më e madhe në botë. Ishte hera e parë që një Komb shpallte zyrtarisht pavarësinë dhe ngjarja frymëzoi lirinë e popujve në mbarë botën. Vetëm në shekullin e kaluar SHBA luajti rol vendimtar në shkatërimin e dy regjimeve diktatoriale më të përgjakshme në historinë e njerëzimit, nazizmit dhe komunizmit.
Ky sukses që ka frymëzuar ata që duan lirinë e demokracinë në të gjithë botën nuk durohet dot diktatorë e autoritarianë në mbarë botën se shohin te simbolet amerikane rrezikun e fundit të tyre. Në këtë 4 Korrik, dua të shpreh dashurinë dhe mirënjohjen time të madhe për këtë vend që u bë një shtëpi e dytë për më shumë se një milionë shqiptarë në hapësirën e tre shekujve. Ky ishte një vend i rrallë ku asnjëherë nuk na trajtuan si qënie të dorës së dytë, vetëm se ishim shqiptarë. Ku jo vetëm nuk na ndëshkuan që shpalosim simbolet tona kombëtare por na inkurajuan që ta bëjmë. Një vend që kur ndërhyri në teatrin europian pengoi planet shoviniste të fqinjëve tanë për ta zhdukur fare Shqipërinë nga harta. Një vend që ishte i vetmi në botë që nuk e lëshoi asnjëherë kauzën e Kosovës, që udhëhoqi NATO-n për çlirimin e saj dhe që mbështeti në pavarësinë dhe demokratizimin e saj.
E gjithë bota është bërë më e lirë, më demokratike, e më e njerëzishme prej simboleve që dolën nga 4 Korriku i vitit 1776. Nuk ka vende e sisteme të përkyera në këtë botë. Mrekullia e sistemit amerikan ka qenë gjithmonë aftësia e tij për shndërrim. Është dashur kohë për të kapërcyer të gjitha prapësitë që u trashëguan nga vendet kolonialiste europiane dhe partnerët e tyre në shumë kontinente.
Në dy shekuj e gjysëm të “eksperimentit amerikan” ky vend nuk ka pushuar së ndryshuari. Te ndryshimi ka edhe forcën e tij. Kjo funksionon vetëm sepse vendi është ndërtuar në themelet të forta. Ky 4 Korrik vjen në një kohë që pikërisht këto themele janë vënë në shënjestër të forcave esktremiste që kanë marrë peng shqetësime legjitime e po i përdorin për të goditur figurat e baballarëve themelues të kombit amerikan. Po përpiqet të rishkruajnë historinë e SHBA-së, për arsye politike e elektorale. Këto aventura të papërgjegjshme janë humbëse të përjetshme në histori sepse prodhojnë pikërisht të kundërtën. 244 vjet që prej ditës kur në Philadelphia u shpall Deklarata e Pavarësisë, SHBA vijon të ecë në rrugën që shtruan themeluesit e këtij kombi. Suksesi i tyre i projektit të tyre ishte në dyshimin e tyre të thellë për natyrën njerëzore. Ata parashikuan më të keqen dhe prodhuan më të mirën. Sot, sa herë që rrëzohet ndonjë statujë e tyre, për arsye se nuk ishin njerëz të përkryer si kërkon turma e radikalëve puristë, pikëpamjet e tyre vërtetohen. Pikërisht në modestinë e tyre të thellë, në pesimizmin dinjitoz, si dhe në bindjen se njerëzimi mund të ecë nëse nxjerr mësimet më të mira nga historia e tij qendron çelësi i këtij suksesi. Në mënyrë ironike, janë të drejtat që çimentuan këta themelues të kombit që u japin të drejtën sot radikalëve të sulmojnë simbolet e mëdha amerikane, si ai i çmenduri që përpiqet të sharrojë degën e pemës ku po qendron.
Në këtë 4 Korrik, gati të zymtë, besimi mbetet i fortë se urtësia e shekujve e mbrujtur në Deklaratën e Pavarësisë, në Kushtetutën Amerikane, në Projektligjin e të Drejtave dhe amendamentet që vijuan, do të fitojë edhe njëherë ndaj histerive dhe abuzimeve të ditës, ashtu si bëri gati 100 vjet më parë, kur u përball me krizën më të fuqishme ekonomike në historinë e vet e nuk u josh nga eksperimentet e mëdha të ditës, fashizmi e komunizmi. Kundër atyre që përpiqen ta shqyejnë duke e tërhequr majtas e djathtas, duhet të rreshtohemi edhe ne, bijtë e adoptuar e më të rinj të saj. Gëzuar 4 Korrikun!