Ministria e Financave dhe Ekonomisë po bën gati një udhëzim në të cilin do të përcaktohet shumë qartë procedura, hap pas hapi, për individët, bizneset dhe institucionet që do të bëhen pjesë e procesit të amnistisë fiskale dhe penale.
Gjatë seancës dëgjimore me grupet e interesit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave lidhur me projektligjin e hartuar nga qeveria “Për amnistinë fiskale e penale”, zëvendësministrja Vasilika Vjero deklaroi se ky ligj do të shoqërohet me një udhëzim, i cili do të jetë tejet shterrues dhe do të përfshijë të gjithë procedurën, hap pas hapi, se si do të zbatohet ky legjislacion nga njësia speciale apo edhe gjithë institucionet e tjera, përfshirë Prokurorinë, Policinë, Ministrinë e Drejtësisë apo bankat e nivelit të dytë.
Vjero informoi se aplikimi do të jetë tërësisht online. “Nëse një individ apo subjekt kërkon të ligjësojë një shumë në të holla, po kjo vlen edhe për pasuritë e tjera, do të bëjë një deklarim online pranë administratës tatimore. Formatet e deklarimit do të jenë specifike për të gjitha llojet e pasurisë“, bëri të ditur Vjero.
Administrata tatimore, tha ajo, përmes njësisë speciale ka dy ditë kohë që të pajisë individin apo biznesin me një vërtetim.
“Gjatë këtyre dy ditëve administrata tatimore do të bëjë verifikimin nëse subjekti mund të përfitojë apo bën pjesë në listën e personave që nuk mund të përfitojë nga kjo amnisti”, tha Vjero.
Vjero theksoi se pas depozitimit të parave në bankë, subjekti nuk mund të kryejë asnjë lloj transaksioni me ketë shumë, deri në momentin që do të marrë vërtetimin nga Njësia Speciale. Sipas saj, me lëshimin e këtij vërtetimi subjekti apo individi është i lirë të vijojë të kryejë të gjitha veprimet që dëshiron.
“E gjithë kjo procedurë do të hartohet qartazi. Nevojitet vetëm plotësimi i formularit deklarues dhe nuk ka nevojë për asnjë dokument tjetër sqarues”, tha Vjero.
Ajo bëri të qartë se emigrantët mund të kryejnë transfertat e parave që duan të amnistojnë, ose përmes sistemit bankar, ose cash brenda shumës se lejuar, ose përmes zyrave të transfertave.