Kreu i PD Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me qytetarët dhe me biznesmenë të ndryshëm në qytetin e Pogradecit.
Referuar njoftimit zyrtarë të ardhur nga selia blu, pronarët i kanë ankuar Bashës për taksa të larta e që nuk janë ndihmuar aspak nga qeveria pas situatës së COVID-19. Nga ana tjetër, Basha bëri fajtor kryesor kryeministrin Edi Rama, teksa dha edhe premtimin se me ardhjen e tij në pushtet gjërat do të ndryshojnë.
“Janë siguracionet që duhen paguar muaj për muaj, që është barrë e madhe. Duhen paguar ujë, drita, tarifa jonormale që vazhdojnë akoma. Nuk pretendojmë për fitime, pretendojmë të mbijetojmë”.
“Një nga problemet kryesore të biznesit janë taksat, të cilat duhen paguar njësoj si një vit më parë, megjithëse ata nuk e kanë hapur biznesin për dy muaj me radhë.”- tha pronari i një lokali në Pogradec.
“Po thuajse 50% e mos them më shumë… shumë. Lokalet pothuajse pjesa më e prekur është restorantet. Janë shumë dobët.”
“Por vërtet mos.. gjys për gjys, dhe atë që e marrin e marrin duke, domethënë duke qenë të ndrydhur jo se e marrin me dëshirën më të madhe. Ndërkohë që mishi është ushqim, pas buke vjen mishi, e kupton? Se s’mund të ndërtosh një drekë pa pasur një thelë mish”, thanë disa nga pronarët e bizneseve.
Basha vizitoi dhe ambientet e një fasonerie, i cili ka qëndruar hapur gjatë pandemisë, por që sipas pronarit kjo është përkthyer në kosto shtesë.
“Jemi ruajtur me masa ekstreme… Gjithsej kemi 125 punëtorë, sigurisht që me kosto shtesë”, tha pronari. Për kryedemokratin, kjo është krizë ekonomike që e ka burimin tek dështimet e njëpasnjëshme dhe keq-alokimet e financave publike nga ana e qeverisë. Ai theksoi nevojën urgjente që ka biznesi për mbështetjen e duhur dhe kjo, sipas tij, do vijë me planin e Partisë Demokratike për ekonominë.
“Kjo është kriza ekonomike që e ka burimin tek dështimet e njëpasnjëshme dhe keqalokimet e financave publike nga ana e qeverisë. Shqipëria duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve dhe këtë kemi parasysh me taksën e sheshtë 9% për biznesin mbi 140 milion, me taksen 0.5% të xhiros për të gjithë biznesin e vogël nën 140 milion lekë. Asnjë tatim, asnjë taksë tjetër, të punojnë lirisht. Këtë kemi parasysh me karantinën e inspektoriateve vitin e parë të qeverisjes time të ardhshme. Një vit karantinë do të thotë: Nuk do të shikojnë inspektorë me sy deri sa ne të kemi ligjin dhe zbatimin e ligjit në nivele europiane. Në asnjë vend të Europës nuk vjen inspektori sa hap qepenin e derisa mbyll qepenin, tatimorja, ambjentalisti, higjenisti t’i bëjë terror biznesit”, -tha Basha.