Dridhet sërish bota e futbollit për shkak të basteve. Këtë herë nuk janë të përfshirë futbollistë apo drejtues skuadrash, por një arbitër (emri i tij nuk përmendet). Prokuroria e Romës po heton një ndeshje të Serisë C, në kampionatin e të rinjve, për të cilën ka pasur baste anormale. Ndeshja nuk ka përfunduar, por është ndërprerë për shkak të një dëm timi të arbitrit.
Ndeshja është zhvilluar para ndalesës së kampionateve nga pandemia, në fund të janarit, dhe për momentin nuk ka të ndaluar. Sipas “La Repubblica”-s, hetimi ka nisur pasi organet kompetente, të sinjalizuara nga agjencitë e basteve për një fluks anormal bastesh, kanë vënë në dijeni Federatën Italiane të Futbollit. Ndeshja në fjalë u ndërpre pak minuta para fundit, pasi arbitri u dëm tua. Ishte një ndeshje pa interes dhe aty ishin përqendruar bastexhinjtë për një rezultat, që në fakt ishte ndryshe nga ai që po prodhonte fusha.
Duke qenë se në Serinë C nuk ka arbitër të 4-t, dëm timi i arbitrit bëri që ndeshja të ndërpritej dhe ata që kishin vënë baste me shuma të mëdha për rezultatin final, kanë evituar humbjet. Ky detaj solli reagimin e agjencive të ndryshme të basteve, jo vetëm atyre italiane.
Prokuroria e Federatës Italiane të Futbollit ka parë me kujdes karrierën e arbitrit mes Serisë C dhe kampionatit të të rinjve, duke gjetur shumë anomali: kartonë të kuq të shumtë, shumë penallti, – shpesh nga dy për ndeshje dhe të kombinuara edhe më kartonin e kuq, si dhe sfida që në shumë raste janë shoqëruar me protesta. Tani fjalën e ka Prokuroria e Romës. Nuk ka ende të hetuar, por vetëm të dyshuar.
Arbitrat janë bërë kohët e fundit një levë e rëndësishme sa i takon manipulimit të ndeshjeve. Një rast të ngjashëm ka edhe në Shqipëri, ku një arbitër që ka arbitruar edhe në Superiore, Emirjon Sino, është i pezulluar pa afat për momentin. Nga burime jo zyrtare është thënë se për të ka pasur një sinjalizim direkt nga UEFA, pasi në një ndeshje të Kupës së Shqipërisë është përsëritur disa herë një penallti. Për të ka një çështje të hapur.