Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian parashikon që ekonomia e bllokut do të tkurret më shumë sesa pritej më parë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila, për disa muaj, ka bllokuar biznese dhe jetën publike. Ekonomia e BE-së do të tkurret për 8.3 për qind këtë vit, përpara se të rritet për 5.8 për qind më 2021, thuhet në parashikimin e Komisionit Evropian, të lëshuar të martën.

“Rruga për rikuperim është ende me pasiguri”, tha komisionari evropian i Ekonomisë, Paolo Gentiloni, për gazetarët në Bruksel.

“Kjo është kryesisht e lidhur me pasigurinë epidemiologjike”, shtoi ai.

Në parashikimin e mëparshëm, të publikuar në maj, kur pjesa më e madhe e kontinentit ishte ende e izoluar, bruto prodhimi i brendshëm parashihej të tkurrej për rreth 7.5% këtë vit dhe të rritej për 6% vitin e ardhshëm.

Gentiloni tha se sfida më e madhe e BE-së në muajt në vazhdim do të jetë gjetja e balancës së duhur midis domosdoshmërisë për të rihapur ekonomitë e BE-së dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

“Ne duhet të jetojmë me rrezikun e shpërthimeve lokale” që mund të çojnë në rivendosje të izolimeve lokale, të cilat e ngadalësojnë rimëkëmbjen ekonomike, tha Gentiloni.

Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, mbi 178,000 njerëz kanë vdekur në Evropë, pasi janë diagnostikuar me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.