Klevis Bakillari

Në traditën tonë mitologjike, kuçedra mishëronte forcën e verbër që pengonte rrjedhën e jetës. Sot, kuçedrat e vjetra të pushtetit nuk nxjerrin më flakë nga goja, por tym. Tym që mjegullon mendjen, verbon qytetarin dhe fsheh gjurmët e padrejtësisë. Janë kuçedra me kostume, me duar mbi vula dhe me buzëqeshje të stërvitura para pasqyrës. Përballë tyre, njeriu i drejtë duket gjithmonë i vetëm. Ai hyn në zyrë me dokumente dhe del me heshtje. Flet me argumente, goditet me arrogancë. Kërkon ligj, i ofrohet mur. Kërkon shtet, i del përpara oborri i interesit.
Dhe kështu, kritiku trajtohet si armik, mendimi i lirë si sëmundje, ndërsa luftëtari i demokracisë si pengesë për pazaret e natës. Kuçedrat nuk e durojnë pasqyrën, sepse aty shohin fytyrën e tyre të vërtetë.

Shumë qytetarë ndiejnë se në ingranazhet e shtetit ka nyje të kalbura: servilizëm, patetizëm politik, nepotizëm që ecën në korridore pa trokitur. E ndiejnë, e shohin, e përjetojnë. Por jo gjithmonë kanë prova në duar, sepse prova zhduket aty ku dera mbyllet nga brenda dhe dosja humbet në sirtarët e errët.
Prandaj shpresa shpesh kërkon dëshmitarë nga brenda mureve. Njerëz që njohin zhurmën e makinerisë, që e dinë ku kërcet vida dhe ku fshihet ndryshku. Në këtë kuptim, Elisa Spiropali shihet si një zë që njeh labirintin e pushtetit dhe peshën e mekanizmave të tij. Si dikush që e di se shteti nuk bëhet i fortë duke shtypur qytetarin, por duke i dhënë liritë që meriton.

Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për kuçedra të reja me emra të rinj. Ka nevojë për njerëz vizionarë, që e shohin pushtetin si shërbim dhe jo si fron. Ka nevojë për njerëz që flasin më pak për veten dhe më shumë për vendin. Ditën që njeriu i mirë të mos ndihet i huaj në shtetin e tij, kuçedrat do të mbeten vetëm përralla. Dhe misioni i politikës do të jetë të lajë fytyrën, jo të thyejë pasqyrën ku shfaqen kuçedrat.