I njohur si qyteti i 85 liqeneve, Belshi është thesari i fshehur që pret të zbulohet nga qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj. Kështu shprehet Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca pas një vizite që ka zhvilluar së fundmi në Belsh. Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, fillimisht u ndal në Këndin e BE në bashki ku u njoh nga afër me punën e stafit të përkushtuar për të promovuar vlerat europiane tek qytetarët e Belshit. Gjatë vizitën në Belsh, Soreca u takua edhe me kryetarin e bashkisë Arif Tafani dhe përfaqësues të bizneseve që kanë përfituar nga rrugët lokale të rindërtuara me fonde të Bashkimit Europian. Soreca u njoh nga kryetari i bashkisë me transformimin e jashtëzakonshëm të bashkisë Belsh vitet e fundit. “Rilindja Urbane e qytetit te Belshit, transformimi rrënjësor i infrastrukturës rrugore, modele zhvillimi si ai i Seferanit, cilësia e re e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve nga ADISA, falë reformës administrativo-territoriale si edhe projektet e përbashketa bashki qeveri me financimin e BE në fushën e agrobiznesit jo vetëm po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë në Belsh, por po ndikon që fermerët e zonës, sidomos të rinjtë, ta shikojnë të ardhmen e tyre këtu pranë liqeneve të mrekullueshme të Dumresë”, theksoi Tafani.
Ambasadori Soreca gjatë vizitës në njësinë administrative Grekan u njoh nga afër me impaktin që krijoi tek banorët e kësaj njësie asfaltimi i rrugës Belsh-Deshiran vite më parë me fondet e BERZH. Gjithashtu, Soreca u njoh edhe me disa zhvillime të reja në agrobiznes si ferma e kultivimit të shafranit etj. “Bashkimi Europian është i pranishëm në Belsh përmes investimeve të tij në rrugët lokale dhe Këndit të BE-së në bashki, ku qytetarët, të rinjtë, fermerët dhe bizneset mund të marrin informacione për programe të ndryshme të BE-së”, shprehet Soreca.