48 të shëruar në 24 orët e fundit, 90 të shtruar në spitalin infektiv

Dr. Rovena Daja
Instituti i Shëndetit Publik

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend ku vijon të ketë raste të reja por edhe shtrime të reja në spital apo pacientë që kanë nevojë për terapi intensive. I drejtohemi çdo qytetari, të vendosë maskën në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, edhe në ambiente të hapura, të tregoni kujdes me masat e higjienës dhe të ruani distancën fizike nga të tjerët, nëse nuk janë familjarët tuaj. Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 2 qytetare: Një 64-vjeçare nga Shkodra dhe një paciente 63-vjeçare nga Elbasani, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv dhe situata paraqitet shumë serioze. Aktualisht janë të shtruar 90 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 451 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 96 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 51 raste në Tiranë, 6 në Shkodër, 5 në Durrës, nga 4 raste në Elbasan, Pogradec, nga 3 raste në Krujë, Kukës, nga 2 raste në Fier, Lezhë, Kavajë, Kamëz, Dibër, dhe nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Devoll, Has, Lushnje, Mat, Përmet, Sarandë, Prrenjas, Bulqizë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 2062 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1508 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton edhe një herë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri: Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën. Ruani distancën në ambientet publike. Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse. Shmangni grumbullimet me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid19.

Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes.
Nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore.
Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.