Mediat spanjolle raportuan ditën e djeshme se Lionel Messi nuk është aspak i kënaqur me situatën te Barcelona dhe se ka vendosur të ndërpresë bisedimet për rinovimin e kontratës që përfundon në verën e 2021-shit.Ka mjaftuar ky lajm që tifozë të shumë klubeve të fillojnë të ëndërrojnë për ta parë yllin argjentinas me fanellën e skuadrës së tyre të zemrës, ndërsa braziliani Rivaldo ka qenë njëri prej atyre që është munduar të parashikojë të ardhmen e “pleshtit”.
“Ka shumë agjentë në botë të cilët ëndërrojnë të bëjnë bashkë në një skuadër Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin. Nëse do të ndodhte, do të ishte një “boom” për Juventusin dhe sigurisht që do të rikuperonte shpejt paratë e investuara, pasi do të rriste ndjeshëm të ardhurat nga marketingu.
Do të ishte diçka historike t’i shihnim bashkë në të njëjtën skuadër dhe besoj që kjo u intereson shumë sponsorëve, ndaj nuk është më diçka e pamundur”, deklaroi braziliani.Momentalisht bëhet fjalë vetëm për një hipotezë, por që gjithsesi mjafton për të bërë të ëndërrojnë tifozët e Juventusit, se ndoshta sezonin e ardhshëm do të kenë në skuadrën e tyre dy futbollistët më të mirë të botës.