Buxheti i cili po mbështet programin e rindërtimit pas tërmetit të fortë të 26 nëntorit të vitit që lamë pas ka arritur në 34 miliardë lekë. Kjo u bë e ditur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Puna për rindërtimin po vijon me ritme të shpejta dhe janë çelur pothuaj të gjitha programet e tij, përfshirë ndërtimin e banesave individuale dhe kolektive, ndërtimin e shkollave si dhe ndërtimin e infrastrukturës në zonat e prekura. Ndërkohë krahas fondeve të buxhetit të shteti ka nisur edhe lëvrimi i fondeve nga donatorët.

Komisioni Europian ka akorduar 115 milionë euro, nga të cilat 65 milionë euro po shkojnë për ndërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti ndërsa 50 milionë euro do të përdoren në objektet e trashëgimisë kulturore të dëmtuara për shkak të tërmetit.
Lidhur me projektin e njohur tashmë si “TOKI” me qeverinë turke për ndërtimin e 500 shtëpive në Laç, projekti është gati dhe shume shpejt nis edhe zbatimi i tij. Ndërkohë një ditë më parë u nënshkrua në Tiranë edhe marrëveshja për lëvrimin e 1.3 milionë eurove pjesë e ndihmës prej 9 milionë eurosh nga qeveria zviceriane që d të angazhohet për programin e mbështetjes së familjeve të prekura në bashkitë Shijak dhe Kurbin

Janë mbi 100 kompani që kanë marrë punë projektimi, studimi e zbatimi në këtë program me qëllim furnizimin me kapacitete në një gamë të gjerë e për të marrë produkte në kohë rekord. 1200 shtëpi individuale deri në fillim të muajit shtator do të jenë në proces rindërtimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa ka nisur në Farkë nga bashkia Tiranë rindërtimi i 50 shtëpive të para individuale. Sa i përket banesave kolektive, ministri i Shtetit për Rindërtimin informoi pak ditë më parë se në fund të shtatorit do të mund të kemi hapjen e themeleve në një set të gjerë, në të 10 bashkitë jashtë Tiranës. Ndërsa për Tiranën ai tha se është ende duke u përmbyllur miratimi i modelit financiar për 4 poliqendrat. “Në dy javët që vijnë pritet të hapet procedura për zonën zhvillimore 5 maji në Tiranë“, tha ministri.