Ditën e djeshme, kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shprehur qëndrimin e subjektit politik që drejton për përmbylljen e procesit të Reformës Zgjedhore. Përkrah Kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe përballë gazetarëve, Rama u shpreh se: Ne kemi vendosur që të mbështesim si Parti Socaliste një hapje të listave dhe t’i japim mundësi çdo zgjedhësi të zgjedhë subjektin politik dhe të shprehë preferencën e tij për deputetin apo deputeten e përfshirë në listën e subjektit.
Kreu i PS-së shkoi më tej kur argumentoi se ky qëndrim i mbajtur është edhe një vendim, i cili reflekton bindjen, tanimë, se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej një shumice, apo një pakice qeverisëse.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar nga selia “blu” kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në deklaratën e tij Basha u shpreh ndër të tjera se: nëse Edi Rama është për lista të hapura, nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese, sepse bëhen ndryshime në Kod Zgjedhor.Më tej kreu i Partisë Demokratike vijoi t’i qëndrojë idesë së koalicioneve parazgjedhore. Pra, lista të hapura me koalicion parazgjedhor ku secila parti del me listën e saj të hapur.

Por çfarë ndodh nëse aplikohet kjo formulë? Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba shpjegon se: “Nëse lejohen njëkohësisht edhe proporcional me lista të hapura edhe koalicione parazgjedhore ku çdo parti del me listën e saj të hapur, panorama do jetë diçka e “pajetuar” ndonjëherë nga votuesi shqiptar dhe botëror. Historikisht në zgjedhjet shqiptare regjistrohen 60-70 parti politike. Kjo vetëm sepse sistemi aktual favorizon koalicionet dhe një numër i madh partish të vogla, të cilat gjatë 4 viteve nuk janë bërë të gjalla, befas në prag të zgjedhjeve “zgjohen” si kërpudhat pas shiut dhe vrapojnë t’u bashkengjiten 2 partive të mëdha, me dëshirën e sinqertë “për të kap ç’të kapin”. Partitë e mëdha janë deri diku të interesuara për zgjerimin e gardhit, pasi kështu minimizojnë firot e votave, duke maksimalizuar numrin e deputetëve që fusin në Parlament. Për ndryshe, rasti i zgjedhjeve të 2017-ës tregoi qartë se, nëse koalicione nuk ka, numri i partive që do garojnë në zgjedhje nuk i kalon 18. Pra, për shkak të lejimit të koalicioneve para-zgjedhore, do kemi mbi 60 parti të regjistruara. Çdo parti ka detyrimin të paraqesë në KQZ një listë kandidatësh me minimalisht 140 vetë. Fleta e votimit që do marrë në dorë çdo votues në momentin kur shkon për të votuar do jetë një libër(!) me 60 lista partish me nga 140 vetë sejcila, pra minimalisht 8400 emra kandidatësh. Votuesit nuk mund ti jepet vetëm lista e një partie, edhe sikur ai ta kërkojë këtë, pasi cënohet fshehtësia e votës. Votuesi, pasi të këtë marrë “librin” në fjalë, do të duhet të kërkojë fillimisht listën e partise që dëshiron, dhe pastaj në listen e partise kandidatin që dëshiron (se prandaj është listë e hapur, pasi veç partisë, ke të drejtë të votosh dhe kandidatin e preferuar). E sigurt është që shumë nga votuesit ose nuk do të votojne për ndonje kandidat ose do zgjedhin gabim.

Akoma më e sigurt është që do ketë konsumin kohë me pasojë vonesa në proces. Pra, pasojat për proporcional me lista të hapura mund të jenë veçse negative.” (Lexo.al)