Dhërmiu, i vendosur buzë detit Jon dhe në shpatet e maleve, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta ka rilindur falë investimeve të kryera nga qeveria shqiptare për kthimin në identitet të tij. Fshatit të 30 kishave monument kulture të kategorisë së parë në bashkinë e Himarës iu rikthyen vlerat historike dhe kulturore të Dhërmiut. Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga transformimi i fshatit turistik të Dhërmiut.
“Mirëmëngjes dhe me këtë tjetër fshat bregdetar që ka rilindur pas vitesh të tëra harrese e rrënimi, e sot ua bën me sy fshatrave të turizmit elitar në jug të Francës, ju uroj një të dielë të bukur”, – shprehet Rama. Pas restaurimit të shtëpive në mbrojtje të origjinalitetit qindra vjeçar, gur pas guri si qëmoti u shtruan 8000 ml rrugica të kalldrëmta. U ruajt çdo element arkitektonik me një histori për të tregua, u riparuan çatitë dhe fasadat e tyre deri në detaje. U përmirësua rrjeti inxhinierik nëntokësor.
Punimet u zbatuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe financuar nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Europës. Iu dha frymëmarrje fshatit duke krijuar ballkonin panoramik si dhe u përmirësua aksesi në objektet me rëndësi historike dhe fetare. Pjesë e projektit ishte edhe ndërtimi i kishës së Shën Thanasit, si dhe rikonstruksioni i objekteve arsimore. Po ashtu u rijetëzuan sheshet kryesore dhe u vendos mobilim unik urban si sheshi “Strungli”, “Petro Marko”, si dhe u restaurua shtëpia e të madhit Petro Marko duke shtuar atraksionet kulturore për turistët.
Dhërmiu shtrihet në fund të një plazhi më tepër së pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon më një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tre lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit. Në total, tërë fshati ka rreth 600 shtëpi, ku rreth 300 janë në Dhërmi, 150 në Gjilek dhe 150 në Kondraq. Fshati i Dhërmiut ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës. Nga ana administrative Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës, rrethi i Vlorës.