Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të rifillojë më 12 korrik në Bruksel me Josep Borrell, Miroslav Lajçak, Avdullah Hotin dhe Aleksandar Vuçiç, tha në një shënim në Twitter zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ndërkohë, në një konferencë shtypi, Stano tha se ”konfirmoj se këtë të diel, më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të vijnë në Bruksel për një takim të nivelit të lartë për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian”.
”Ky do të jetë takimi i parë në kuadër të dialogut që nga nëntori i vitit 2018. Takimi do të organizohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Europian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe Çështjet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak”, deklaroi Stani.
”Ky takim do të rifillojë diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës për të gjitha çështjet e pazgjidhura”, theksoi ai. ”Takimi mbi dialogun për normalizimin e marrëdhënieve do të zhvillohet pas takimit online, të premten më 10 korrik i drejtuar nga presidenti Macron dhe kancelarja Merkel”, përfundoi Stano.