Një ekip mjekësh dhe infermierësh nga Italia dhe një sasi prej 500.000 maskash kirurgjikale mbërriti sot në ndihmë të vendit tonë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio rikujtoi sot edhe një herë ndihmën që Shqipëria i dha shtetit fqinj në atë që ai e quan, “periudhën më të errët për Italinë”.

“Gjatë periudhës më të errët për Italinë, kur pandemia ishte duke goditur popullsinë tonë dhe duke i vendosur spitalet tona nën stres, kishte vende që na ndihmuan duke na dërguar furnizime mjekësore dhe personel mjekësor. Këto përfshijnë Shqipërinë e mikut tim Edi Rama për të cilin nuk do të ndalem kurrë së falënderuari për ndihmën e çmuar dhe afërsinë e treguar për popullin tonë. Nuk ishte diçka e pritshme”, tha Di Maio.

“Për këtë arsye ishte e detyrueshme të rikthenim solidaritetin drejt tyre. Një ekip mjekësh dhe infermierësh me një ngarkesë prej 500 mijë maska, është nisur sot nga Italia”, u shpreh Di Maio.

“Faleminderit, nga zemra personelit tonë të kujdesit shëndetësor që do të shkojë në Shqipëri për të kryer punën e tyre me një profesionalizëm të madh dhe do të ndihmojë ata që janë në vështirësi tani. Ne jemi me ju”, theksoi ai.

Taskforca e Emergjencave Civile italiane e përbërë nga shtatë ekspertë do të zhvillojë një veprimtari dypalëshe për një periudhë 14-ditore. Grupi i ekspertëve do të zhvillojë veprimtari konsulence dhe do të ndihmojë me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid.

Grupi përbëhet nga një mjek urgjence, një anestezist dhe nga një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, nga një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes, e cila është nga Shqipëria.