Lokomotiva e Zagrebit është e dashuruar me shqiptarët. Skuadra e cila sapo e mbylli në vendin e dytë kampionatin kroat duke siguruar një vend në kualifikueset e Champions League dhe që në ekip kishte 5 shqiptarë është hedhur në sulm për shërbimet e Sherif Kallakut. Burime të sigurta konfirmojnë se drejteusit e klubit nga kryeqyteti i Kroacisë kanë nisur zyrtarisht bisedimet me presidencën e Teutës për të siguruar shërbimet e 22-vjeçarit.
Numri 10 i “djemve të detit” po mbyll sezonin më të mirë në karrierë ku ka realizuar 14 gola në kampionat dhe 2 gola në Kupën e Shqipërisë. Interes për futbollistin kanë shfaqur edhe 3 klube të tjerë, ndër to edhe polakët e Slask, por së fundmi është Lokomotiva e Zagrebit që është afrtuar ndjeshëm.
Klubit kroat i ka ecur mbarë me shqiptarët dhe pasi shiti kartonin e Myrto Uzunit tek Ferencvaros për 1.8 mln euro plus bonuse teksa më herët përfitoi 2 mln euro për transferimin e Lirim Kastratit tek Dinamo Zagreb, kërkon që të njëjtën rrugë të ndjekë edhe me Kallakun. Për momentin ende nuk është gjendur akordi përfundimtar, por mund të jetë çështje ditësh.