Ndërtimi i thertores moderne në Tepelenë do të krijojë një lehtësi të jashtëzakonshme për blegtorët e zonës. Kjo thertore me teknologji të fjalës së fundit e standarde të Bashkimit Europian, pjesë e programit IPARD kontraktuar nga AZHBR-ja, (Agjencia për Zhvillim Bujqesor dhe Rural) do të garantojë sigurinë e plotë ushqimore për konsumatorët e mishit të kësaj zone të bekuar.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqesor dhe Rural, (AZHBR) dhe kryetari i bashkisë Tepelenës, Tërmet Peçi inspektuan sot punimet në këtë thertore. Kryeministri Edi Rama duke e vlerësuar këtë investim të standardeve bashkëkohore, tha se “kjo thertore është tekonologji e fjalës së fundit”.

Ai kërkoi që rreth e rrotull thertores të bëhet oaz ekologjik. Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, tha se “kemi ardhur në një projekt europian, është një thertore e financuar nga programi IPARD. E kemi kontraktuar në 24 tetor të vitit të kaluar. Kontrata përfundon në 23 tetor të këtij viti. Janë kryer 80% e punimeve, është një kontratë masive, që është masa 3 që është masa e përpunimit të sektorit të mishit konkretisht. Thertorja është një kontratë prej 1.5 milionë euro, 50% e financimit është e mbuluar nga programi IPARD, që është 75% Bashkimi Europian dhe 25% buxheti i shtetit”.

“Kjo është një nga kontrtat më të mëdha që kemi, do të zgjidhë çështjen e sigurisë ushqimore sa i përket blegtorisë, në një zonë që shquhet për blegtorinë. Ka një kapacitet therjeje prej 700 të imta”, – tha Krifca. Sipas saj, programi IPARD ka qëllim që të përafrojë standardet ushqimore dhe standardet e investimeve në bujqësi dhe zhvillimin rural në përputhje me standardet e BE-së.

Krifca u shpreh se “ne kemi tre thertore të kontraktuara në programin IPARD në thirrjen e parë, të cilat janë duke u implementuar tani. Në këtë përmasë kjo është e vetmja”. Kryetari i bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, tha se “është 1300 metër ndërtim. Nga Tepelena duke qenë zonë blegtorale do të mbulojë gjithë qytetet e qarkut. Është thertore me standarde bashkëkohore”. Inxhinieri i firmës që kryen punimet tha se “është një investim madhor, rreth 2.4 milionë euro, deri tani janë kryer rreth 80% e punimeve”.