Në samitin “virtual” të Parisit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i paraqiti presidentit të Francës, Emmanuel Macron-it dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, tre parimet udhëzuese për dialogun Kosovë-Serbi.

Këto parime, sipas tij, duhet të jenë ato që do të drejtojnë procesin: e para që integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm, së dyti që organizimi kushtetues i Kosovës nuk bën të preket sepse garanton funksionimin demokratik të autoriteteve, dhe së treti, që marrëveshja me Serbinë duhet të jetë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Bazuar mbi këto parime, Kosova do të angazhohet në dialog me synime të qarta, mbi të cilat duhet të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes mes saj dhe Serbisë, e cila të rezultojë me njohje reciproke. Pa një përmbyllje të tillë të këtij procesi, marrëveshja nuk mund të arrihet”, tha Hoti, i cili i mëshoi idesë se njohja reciproke mes dy shteteve është e vetmja mënyrë e normalizimit të marrëdhënieve e që i hap rrugën integrimit të tyre në BE.

Ai theksoi po ashtu se anëtarësimi i Kosovës në OKB duhet të jetë pjesë e ujdisë. Vucic, ndërkohë tha se shteti i tij është i gatshëm të flasë rreth hapave për përmirësimin e marrëdhënieve, por nuk pranon ultimatume.

“Pala shqiptare ka dalë me kërkesa që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe kushtetues të Kosovës, njohja e qëndrueshme të ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjithë kjo është e pakuptimtë, por jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, ka thënë presidenti i Serbisë.

Ndërkohë takimi i Brukselit, i caktuar të mbahej në 12 korrik, është shtyrë në datën 16. Koha ditore mëson se arsyeja e shtyrjes së takimit ka qenë mungesa e gatishmërisë së Hotit për të udhëtuar në Bruksel të dielën për tu takuar me Vucicin. Në 12 korrik, megjithatë pritet të mbahet një video-konferencë, e organizuar nga Bashkimi Evropian.