Policia e Shkodrës ka zbardhur dhe dokumentuar vjedhja e një mjeti luksoz në Plazhin e Velipojës, duke ndaluar autorin e dyshuar. Uniformat blu kanë ndaluar 23-vjeçarin A. P., banues në Kurbin, pasi dyshohet të jetë autor i vjedhjes së automjetit luksoz, tip “Range Rover”, në pronësi të shtetasit D. D., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka qenë me pushime në Velipojë.

Njoftimi i policisë: Ndalohet autori i dyshuar i vjedhjes. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, kanë zbardhur dhe dokumentuar vjedhjen e një mjeti luksoz në plazhin e Velipojës. Në bashkëpunim me strukturat e DVP Lezhë, pas një pune të mirorganizuar u bë ndalimi i shtetasit A. P., 23 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë, pasi dyshohet të jetë autor i vjedhjes së automjetit luksoz, tip “Range Rover”, në pronësi të shtetasit D. D., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka qenë me pushime në plazhin e Velipojës, Shkodër. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jetë i implikuar ky shtetas. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Vjedhja”.