Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas arrestimit në flagrancë të një 62-vjeçari në Mirditë, i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.

Lamallari tha se Policia e Shtetit po ndjek çdo rast të zjarrvënieve dhe kërkoi që drejtësia të zbatojë ligjin ndaj personave përgjegjës.

“Drejtësia të ndëshkojë zjarrvënësit e arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit, qytetarët t’i raportojnë ata në mbrojtje të jetës së tyre dhe efektivëve në terren!”, u shpreh ministri.

Ai iu referua rastit të Mirditës, ku një 62-vjeçar u arrestua pasi dyshohet se kishte ndezur 6 vatra zjarri dhe kishte precedentë të mëparshëm për zjarrvënie.

“Ne po ndjekim çdo zjarrvënës dhe do të kërkojmë me këmbëngulje që ligji të zbatohet me forcën e plotë ndaj tyre. Drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund!”, deklaroi Lamallari.

Ministri theksoi se ndëshkimi i autorëve është i rëndësishëm për mbrojtjen e jetës së banorëve, efektivëve që angazhohen në terren, pronës private dhe pasurisë publike.

Në fund, ai u bëri apel qytetarëve të mos ndezin zjarre, edhe në rast pakujdesie, si dhe të mos tolerojnë personat që shkaktojnë zjarrvënie.

“Mos lejoni ndezjen e zjarreve qoftë dhe nga pakujdesia dhe mos toleroni ata që e bëjnë këtë!”, apeloi ministri.