Komisioni Europian ka miratuar një paketë prej 100 milionë eurosh për të mbështetur përpjekjet e rehabilitimit dhe rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, sipas ec.europa.eu. Ky financim është pjesë e zotimit të përgjithshëm të Komisionit Europian prej 115 milionë euro të bëra në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve ”Së bashku për Shqipërinë”, në fillim të këtij viti. Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se “me miratimin e kësaj pakete financiare, Bashkimi Europian po përmbush përkushtimin e tij për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit, ashtu si ne gjithashtu jemi duke mbështetur këtë vend për të adresuar pasojat e krizës COVID-19″.

”Ne kemi bërë premtimin tonë për t’u qëndruar pranë qytetarëve të Shqipërisë dhe kemi rinovuar mbështetjen tonë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane”, theksoi ai. Programi i sapomiratuar do të përqendrohet në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore, përfshirë mobilimin dhe pajisjet për t’i lejuar fëmijët dhe të rinjtë të kthehen në shkollë me kushte dhe lehtësi më të mëdha. Ai do të bazohet në punimet e nisura tashmë nën programin ekzistues të rindërtimit prej 15 milionë euro të financuara nga Komisioni Europian. Programi i ri do të financojë më tej rehabilitimin e vendeve të dëmtuara të trashëgimisë kulturore, përfshirë monumentet, muzetë, bibliotekat dhe vendet arkeologjike, duke kontribuar në këtë mënyrë edhe në zhvillimin ekonomik lokal.

E gjithë ndërtimi do të ndjekë parimin “Ndërto më mirë”, duke zbatuar norma të qëndrueshme ndërtimi dhe të zvogëlojë rrezikun në të ardhshëm, duke rindërtuar infrastrukturë dhe sisteme më të forta, më të sigurta dhe më rezistente ndaj katastrofave. Masa speciale gjithashtu do të sjellë përmirësime në efikasitetin e energjisë. Në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, më 17 shkurt, Komisioni Europian premtoi 115 milion euro mbështetje që përbëhej nga dy komponentë: Një shumë fillestare prej 15 milion eurosh, e njoftuar në dhjetor 2019, duke u përqendruar në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore. Për të lejuar fillimin urgjent të operacioneve të ndërtimit, ai po zbatohet përmes një marrëveshjeje të nënshkruar me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Parashikohet rehabilitimi dhe rindërtimi i 22 shkollave. Një shtesë prej 100 milion eurosh, që ndahet përmes programit të sapomiratuar.