Bare e restorante të mbushura me klientë janë fajësuar si vatra të infeksioneve të reja me koronavirus. Fabrika të përpunimit të mishit, burgje e qendra të të moshuarve po ashtu kanë regjistruar shpërthime infeksionesh. Kishat e faltore të tjera përfaqësojnë një situatë më të komplikuar.

Pjesa më e madhe e kishave kanë respektuar këshillat e autoriteteve të shëndetit publik për të shmangur grumbullimet që të mbrojnë besimtarët e tyre. Megjithatë, disa kisha, që në fillimet e pandemisë u kanë rezistuar këshillave dhe kanë regjistruar vatra infeksionesh.

Megjithëse grumbullimet në kisha nuk janë në krye të listës së përhapësve kryesorë të infeksionit në SHBA, ato vazhdojnë të krijojnë probleme për autoritetet lokale që bëjnë thirrje për ruajtjen e distancimit social. Kufizimet e vajtjes në kishë shihen nga shumë si kufizime të lirisë së besimit.

“Nëse duam të shmangim të gjitha rreziqet duhet të mbyllim dyert një herë e mirë. Por në fakt ne duam të gjejmë një mënyrë për të balancuar rrezikun me nevojën për lutje e frekuentim të objekteve të kultit,” thotë pastori Robert Jefress në Dallas të Teksasit.

Gjatë javëve të fundit ka pasur konfrontime mes autoriteteve dhe kishave në Kaliforni. Prokurori i San Franciskos i dërgoi në fund të qershorit një urdhër arqipeshkvit të kishës katolike duke e paralajmëruar se kisha kishte shkelur ndalimin për grumbullime në mjedise të mbyllura. Arqipeshkvi u përgjigj me premtimin për të respektuar kufizimet.

Pak ditë më pas, autoritetet ndaluar “këngët e lutjet me zë të lartë në kishë” gjë që u sfidua në shumë objekte kulti.

Pastori evangjelist Samuel Rodriguez tha se besimtarët e tij në Sakramento kishin kënduar himne të adhurimit të Zotit më 5 korrik por shumë prej tyre ishin me maska dhe në distancë nga njeri-tjetri.

“Ndalimi i këngëve në Kishë është i papranueshëm,” tha pastori.

Por fakti është se frekuentimi i objekteve të kultit është bërë problem si në SHBA, ashtu edhe në shkallë ndërkombëtare.

Në shkurt në Korenë e Jugut, mijëra pasues të një grupimi secret fetar rezultuan të infektuar. Po në shkurt, në Malajzi, qindra raste infektimesh besohet se kishin lidhje me një lëvizje misionarësh myslimanë.

Në mars në SHBA, 35 nga 92 të infektuarit e parë kishin qenë në një kishë në Arkansas, tre prej tyre vdiqën nga COVID-19, sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve.

Në mes të qershorit, një kishë e vogël në Oregon u bë vatër infektimi, kur 236 besimtarë të kishës rezultuan me koronavirus.

Po në qershor, autoritetet e shëndetësisë në shtetin e Virxhinias Perëndimore raportin vatra infeksioni të lidhura me pesë kisha në pjesë të ndryshme të shtetit. Një prej tyre kishte 51 të infektuar, tre prej të cilëve vdiqën nga sëmundja.

Shumë kisha kanë reaguar ndaj rrezikut duke kufizuar pjesëmarrjen në shërbime në maksimumi 50 vetë, të cilët duhet të kontrollohen nëse kanë temperaturë, të dizinfektojnë duart dhe të vënë maskë para se të futen në kishë.