Pavarësisht vështirësive që po kalon turizmi gjatë këtij sezoni veror për shkak të pandemisë, pushuesit që kanë zgjedhur t’i kalojnë pushimet në bregdetin e Shëngjinit do të gjejnë një ambient më të pastër. Me mbështetjen e GIZ dhe të Ministrisë së Turizmit, Bashkisë së Lezhës i janë dhuruar 300 kosha të rinj mbetjesh urbane, të cilët do të përdoren gjatë gjithë zonës së plazhit. Ministri i Turizmit, Blendi Klosi tha se koshat e rinj do të ndihmojnë gjithashtu për diferencimin e mbetjeve në burim.
“Sezoni i ri, një sezon me problematika të mëdha, por të paktën do të mbahet mend si një sezon shumë i pastër në Lezhë, Shëngjin dhe në gjithë bregdetin e Shqipërisë. 300 koshat e rinj që vendosen sot në Shëngjin janë një përpjekje për të realizuar në fakt dy qëllime e para për të pasur një sistem grumbullimi dhe trajtimi të mbetjeve urbane perfekt ku kërkohet shumë më tepër bashkëpunim i biznesit, komunitetit që të vendosin mbetjet në koshat e afruara t’i vendosin sipas orareve të caktuara nga Bashkia e Lezhës”.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu theksoi se në bashkëpunim edhe me operatorët turistik po punohet për riformatimin e të gjithë mënyrës se si do të menaxhohet situata e mbetjeve në zonën e plazhit dhe gjithë qytezës së Shëngjinit.