Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden, pritet të thyejnë rekordet e mëparshme për fonde të shpenzuara për fushatë.

Megjithëse presidenti ishte në avantazh të dukshëm në fillim të fushatës, në qershor Joe Biden ia kaloi me 10 milionë dollarë më shumë të dhuruara për fushatën e tij. Ishte muaji i dytë radhazi kur pretendenti demokrat grumbullonte më shumë fonde se presidenti.

Grumbullimi i fondeve për fushatë është një sfidë e vazhdueshme për kandidatët politikë dhe partitë e tyre, pasi çdo cikël fushate sjell kosto në rritje.

Sa kushtojnë fushatat presidenciale në SHBA?

Fushatat presidenciale të dy partive politike grumbullojnë dhe shpenzojnë qindra miliona dollarë që nga momenti kur kandidati shpall synimet për të konkurruar deri në ditën e zgjedhjeve. Në ditët tona kjo periudhë është zgjatur dhe vazhdon për më shumë se një vit. Shpenzimet totale për fushatat presidenciale u rritën mbi 1000% nga 1980 kur Ronald Reagan mundi presidentin Jimmy Carter, në vitin 2012 kur Presidenti Barack Obama mundi sfiduesin republikan Mitt Romney. Vëzhguesit e zgjedhjeve thonë se gara e 2020 mund të rezultojë më e kushtueshmja e regjistruar ndonjëherë në SHBA, megjithëse shumë aktivitete janë kufizuar si rezultat i pandemisë.

Historik i kostos së fushatave

Krahasuar me epokën dixhitale, presidenti i parë amerikan, George Washington thuajse nuk shpenzoi asgjë për të bërë fushatë në 1788-1789, në një kohë që Amerika kishte një territor shumë më të vogël dhe komunikimi masiv nuk ekzistonte ende. Sot, fushatat komunikojnë përmes internetit, medias sociale, valëve të transmetimit, gazetave dhe me vizita derë më derë me më shumë se 150 milionë votues të regjistruar. Reklamat në platforma të ndryshme mediatike marrin pjesën më të madhe të fondeve. Stafi i fushatave, zyrat që ngrihen nëpër shtete individuale, anketat dhe analizat mbi elektoratin, aktivitetet për fushatë dhe për grumbullim fondesh – të gjitha kushtojnë shuma të mëdha, megjithëse në epokën e COVID-19 shumë nga këto aktivitete po bëhen në formë virtuale. Shpenzimet për fushatë, aktivitetet partiake për të mbështetur kandidatin dhe grupet aktiviste shpenzuan në total 2.8 miliardë dollarë në 2018 dhe 2.4 miliardë dollarë në 2016, sipas Qendrës për Politikë të Përgjegjshme, një grup me seli në Uashington që analizon shpenzimet politike.

Ku e kanë burimin këto fonde?

Fushatat zgjedhore sigurojnë fonde direkt nga amerikanët. Çdo qytetar mund të japë deri në 2800 dollarë për zgjedhje. Pasi kandidati merr emërimin e partisë, ai fillon të grumbullojë fonde në bashkëpunim me partinë. Fushatat përfitojnë edhe nga Komitetet e Veprimit Politik (PAC) të cilët veprojnë në mënyrë të pavarur për të grumbulluar fonde pa kufizime për reklama në mbështetje të një kandidati. Shpenzimet nga biznese, shpesh të padeklaruara publikisht, u rritën ndjeshëm në 2010 kur Gjykata e Lartë doli me vendimin se e drejta e fjalës, e garantuar me Kushtetutë, lejon shpenzime për synime politike nga kompanitë e sindikatat.

A janë fondet garanci për fitore?

Jo medoemos. Demokratja Hillary Clinton shpenzoi qindra miliona dollarë më tepër se Donald Trump në 2016, por nuk arriti fitore. Në 1996, republikani Bob Dole po ashtu humbi zgjedhjet megjithëse kishte shpenzuar më shumë se kandidati demokrat Bill Clinton. Megjithatë, në shumicën e rasteve fondet janë të rëndësishme. Në periudhën 2000-2012, republikani George W. Bush dhe demokrati Barack Obama fituan zgjedhjet pasi kishin shpenzuar shumë më tepër se rivalët e tyre.

Parashikime për shpenzimet në zgjedhjet e 2020

Totali i shpenzimeve për fushatëm e 2020 do të mësohet pas zgjedhjeve të nëntorit. Por janë regjistruar shuma masive të shpenzuara nga dy pretendentë demokratë që po konkurronin për emërimin e Partisë Demokrate: miliarderët Tom Steyer dhe Michael Bloomberg. Aktualisht, si zoti Biden, ashtu edhe Presidenti Trump po grumbullojnë donacione me ritme të fuqishme. Së bashku ata kishin mbledhur më shumë se 500 milionë dollarë në tre muaj, për periudhën deri në fund të qershorit. Megjithëse kohët e fundit zoti Biden ia ka kaluar presidentit me grumbullim fondesh, besohet se presidenti ka rezerva më të mëdha për shpenzime në tre muajt e fundit para zgjedhjeve.

Ndikimi i Pandemisë; Shtohet rëndësia e medias sociale

COVID-19 nuk e ka ndalur fushatën për grumbullim fondesh, por po ndryshon mënyrën si shpenzohen këto fonde. Presidenti ka kufizuar aktivitetet në terren, ndërsa zoti Biden i ka anuluar plotësisht. Ka pasur ndryshime edhe në mënyrën si informohen amerikanët. Për herë të parë në histori, në 2020 mund të shohim më shumë fonde të shpenzuara për reklama në internet, se sa për reklama televizive apo në gazeta. Në qershor, Joe Biden ia kaloi Presidentit Trump me shpenzime për reklama në Facebook. Kohët e fundit ai grumbulloi afro 11 milionë dollarë në një fushatë donacionesh me mbështetjen e ish-presidentit Obama. Nga ana tjetër, presidenti mbetet superior me praninë në Twitter dhe platforma të tjera dixhitale ku ka një audiencë masive dhe përhap mesazhin e tij pa asnjë shpenzim.(VOA)