Ai e dinte dhe ishte i sigurt se duke shkuar në Itali, Covid-19-a do ta infektonte, megjithatë Ermal Pashaj gjithsesi iku, shkruan Pietro Del Re i gazetës së njohur italiane ”La Repubblica”.
“Madje, u grinda edhe me bashkëshorten time, e cila nuk donte që unë të merrja pjesë në këtë mision, ndërkohë që nuk u thashë asgjë prindërve, që të mos shqetësoheshin”, thotë ky kirurg i lindur në Tiranë, 35 vjet më parë, një nga 30 mjekët që qeveria shqiptare dërgoi në Lombardi në fund të marsit, në kohët më të errëta të pandemisë.
Shqipëria “e vogël” vrapoi të shpëtonte Italinë sepse, siç e tha edhe kryeministri Edi Rama “ne nuk jemi të pasur, por as të privuar nga memoria dhe nuk do të harrojmë as kush na ndihmoi”, duke iu referuar gjithashtu ndërhyrjes mbrojtjes civile italiane, pas tërmetit që shkatërroi Durrësin nëntorin e kaluar.
I zbritur në Romë, i transferuar pastaj me një avion ushtarak për në Verona dhe prej andej në spitalin e Brescias, Ermali do ta përshkruante kështu situatën që gjeti: “Kur mbërrita në kujdesin intensiv ishin 60 shtretër, të gjithë të zënë. Çdo ditë, dy ose tre pacientë vdisnin. Pulmonologu italian, në ekipin e të cilit isha futur, kishte rezultuar pozitiv disa orë pas mbërritjes sime, megjithëse ai gjithnjë e kishte veshur maskën. Atëherë kuptova se sa i fshehtë ishte koronavirusi dhe fillova të kisha frikë. Duke u nisur nga Tirana mendova se gjatë qëndrimit në Itali do të hiqja dorë nga duhani, por, që nga dita e parë, dyfishova numrin e cigareve”.
Kirurgu shqiptar kishte ndjekur në televizion atë që po ndodhte në Itali dhe para nisjes së tij ishte trajnuar në Tiranë nga një mjek nga spitali ”Spallanzani”.
“Por, asnjë lajm në televizion nuk mund të sillte atmosferën që do të ndjehej në repartet e spitalit. Pas disa ditësh, fillova të mësohesha me të dhe arrita të menaxhoja stresin”, shton ai.
Atë e ndihmuan edhe kolegët italianë, të cilët e pritën me mirënjohje dhe zemërgjerësi.
”Sa më përket mua, u përpoqa ta bëja veten sa më të dobishëm, për shembull me turnet. Gjithashtu edhe për faktin se kam jetuar në hotel dhe, ndryshe nga mjekët italianë, nuk kam pasur një familje për t’u rikthyer pas punës”, thotë Ermali.
Por, ishin pacientët ata me të cilët Pashaj krijoi marrëdhëniet më të mira.
”Ndjeva një dhimbje të madhe për ata që kishin frikë se ishin braktisur nga familja, sepse askush nuk mund të shkonte t’i vizitonte. Në mbrëmje telefonova të afërmit për t’i informuar ata për shëndetin e të sëmurëve. Do ta kujtoj gjithmonë njërën prej tyre që më tha “doktor, bëj gjithçka të mundur për të shpëtuar babanë tim sepse dje varrosa nënën time”.
Që nga ajo tragjedi, ai rrëfen se ka mësuar shumë.
“Si mjek i ri, për herë të parë kuptova e betimit të Hipokratit dhe çfarë do të thotë të ndihmosh ata që kanë nevojë, pa asnjë lloj kushtëzimi. Prandaj e konsideroj veten me shumë fat që e kam jetuar këtë përvojë”, thotë Ermali.
Pashaj thotë gjithashtu se do të ruajë në kujtesën e tij autoritetim e kreut të departamentit të sëmundjeve infektive, profesor Francesco Castelli, të cilin e përshkruan si “një njeri të thjeshtë, të përulur, pa orë apo këpucë firmato” dhe ndaj të cilit të gjithë kishin një admirim të madh.
“Ai ishte një model dhe unë do të doja shumë t’i ngjaja, ndoshta pas 20 vitesh”, thotë Ermali.
Sidoqoftë, misioni përfundoi me një episod që i la një shije të hidhur, sepse në prag të kthimit të tij në Shqipëri, mjekët u denoncuan nga pronari i hotelit që priti ata për thyerjen e rregullave të qetësisë publike.
”Ishte një farsë. Tetë prej nesh ishin në një dhomë duke festuar me ndonjë birrë, në hare pas një muaji pune të lodhshme. Erdhën 12 policë. Unë u prezantova si menaxher i grupit, sepse isha më i moshuari, dhe u thashë atyre se që të gjithë sapo kemi rezultuar negativ nga testet. Policët, megjithatë, na denoncuan për prishje të qetësisë publike. Fatkeqësisht nuk mbaroi këtu. Kur u kthyem në Shqipëri, për atë që ndodhi na ‘linçuan’ të gjithëve. Thuhet se ne shqiptarët humbasim gjithmonë në kohën shtesë. Kjo na ndodhi edhe neve”