Monika Kryemadhi ndërron mendje për Covid19. Zonja e Parë e vendit, deri pak kohë më parë deklaronte se Covid19 është një mashtrim i madh dhe se me hudhra dhe me raki mund të luftohej, ndërsa sot sulmon qeverinë për masat e marra dhe shtimin e rasteve. Zonja e Parë e vendit, bashkëshortja e Presidentit Meta në një intervistë për një televizion ka bërë akuza për qeverinë për mos mbrojtje të mjekëve, por vetëm pak javë më parë, ajo deklaronte se Covid19 nuk ekziston.
E nëse ka sot një shpërfillje të rregullave nga ana e qytetarëve, apo një lloj hutimi të tyre përballë mesazheve kontradiktore, një burim duhet të kërkohet edhe tek politikanë si Kryemadhi, e cila sot flet për menaxhimin e pandemisë. Po cilës Pandemi? Asaj që nuk ekzistonte, ashtu sikurse virusi që ishte shpikur nga qeveria dhe që mund të luftohej me hudhra dhe raki, sipas Kryemadhit? Mes “perlave” që ka lëshuar sot Kryemadhi, ishte ajo ku i kërkonte qeverisë se cila është kura dhe medikamentet që po përdor për trajtimin e Covid, ndërkohë që sot asnjë vend i botës nuk ia ka gjetur ende kurën e drejtpërdrejtë për koronavirusin, apo kur përmendi sukseset e shëndetësisë, si fjala vjen në kohën e Gripit të Derrit, kur ministra të Shëndetësisë kanë ardhur nga LSI, forca politike që drejton Kryemadhi. Një kohë për shëndetësinë, të cilën qytetarët shqiptarë e mbajnë mend fort mirë.