Një lajm i hidhur vjen nga industria e muzikës botërore, pasi CNN raporton se anëtari i grupit “The Roots”, Malik B, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare. Grupi tij ka njoftuar vdekjen të mërkurën në Instagram në një postim ku shfaqet një fotografi e Malik B me bashkëthemeluesit e “The Roots”, Black Thought dhe Questlove.
“Jemi me zemër të thyer dhe sy të përlotur që t’ju informojmë me keqardhje për ikjen e vëllait tonë të dashur dhe anëtarit të Roots, Malik Abdul Basit. Mund të mbahet mend për përkushtimin e tij ndaj Islamit, vëllazërimin e tij të dashur dhe inovacionin e tij si një nga MC-të më të talentuar të të gjitha kohërave. Ne kërkojmë që ju të respektoni familjen e tij në kohën tonë të zisë për një humbje kaq të madhe”, shkruan tutje “The Roots.”.
Deri tani nuk është bërë me dije shkaku i ndarjes nga jeta në moshë të re të Malik Basit. Ai lindi në Filadelfia dhe u bashkua me ‘The Roots’ menjëherë pasi shoku i tij reperi Black Thought dhe bateristi Questlove themeluan grupin në fund të viteve 1980 dhe do ishte i vetmi anëtar i përhershëm përveç themeluesve për vitet e ardhshme.
Pasi nuk arritën të tërhiqnin shumë vëmendjen në Filadelfia, grupi u zhvendos në Londër, ku publikuan albumin e tyre të parë.