Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë të mërkurën se është i gatshëm ta tërheqë kandidaturën për president, në rast se opozita ofron një kandidaturë.

Por, ka theksuar se “nga aeroplani” shihet mungesa e vullnetit të opozitës për të zgjedhur presidentin.

Konjufca tha të mërkurën se partitë opozitare po kalkulojnë në rënien e Vetëvendosjes në zgjedhjet eventuale të parakohshme, që do të shpalleshin nëse dështon zgjedhja e kreut të shtetit. Sipas tij, ata mbështeten në ndikimin që mund të ketë Vjosa Osmani.

“Përfshirjen e presidentes Osmani në skenën politike, prej nga ata kalkulojnë që kjo ndoshta do ta zbriste përqindjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Prej kur ka qenë ky element në garë nuk ka pasur propozime të sinqerta. Kjo është më shumë kalkulim i opozitës për zgjedhje. Ju lutem kjo shihet që po thonë ‘prej aeroplanit’”, ka thënë Konjufca.

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për presidentin.

E, në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, e cila u bojkotua nga opozita, fillimisht Konjufca u propozua nga Vetëvendosje, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. Seanca nuk u zhvillua, meqë në momentin kur duhej të zhvillohej votimi në sallë nuk ishin së paku 80 deputetë, sa kërkohen në raundin e parë e të dytë të zgjedhjes.

Konjufca u shpreh të mërkurën se është i gatshëm të tërhiqet nga gara për president nëse opozita arrin të propozojë një kandidat unifikues.

Sipas tij, përgjegjësia për të sjellë një emër konsensual i takon opozitës, e jo Vetëvendosjes.

“Më shumë barra e provës, ta quaj në këtë rast, bie mbi opozitën që të na e propozojë ndonjë emër, kurse ne t’i japim votat tona. Kjo ka qenë edhe ideja. Është shumë e kollajshme për opozitën që të japë emra. Siç e dini, mazhoranca tash i ka 66 vota dhe do të mund t’i vendosnim në funksion të zgjidhjes së një presidenti. Por po them që në momentin që opozita e gjen një president të përbashkët dhe e prezanton para nesh, ky nuk do të thotë që të ishte propozimi i krejt opozitës, por së paku i dy prej partive politike”, ka thënë ai.

Kushtetuta kërkon që presidenti i ri të zgjidhet jo më larg se një muaj përpara se t’i përfundojë mandati atij aktual. Seanca për zgjedhjen e presidentit u zhvillua më 5 mars, një muaj para se Vjosa Osmani ta përmbyllte mandatin. Të nesërmen, Osmani nxori dekretin, me të cilin e shpërndau Kuvendin.

Por, Kushtetuesja e shpalli të paefektshëm dekretin dhe vendosi që t’u japë kohë deputetëve deri më 28 prill, meqë konstatoi se nga nisja e mandatit ata nuk i patën në dispozicion 60 ditë për ta zgjedhur kreun e shtetit. E, sipas Kushtetutës, nëse zgjedhja dështon pas 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme.

Pas aktgjykimit, kryeministri Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i Vetëvendosjes, ka pasur vetëm një takim në kuadër të diskutimeve për kandidatin konsensual për presidentin. Ai ka takuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se me LVV-në synon “marrëveshje të madhe” dhe nuk ia mbështet asnjërin kandidat.

Ndërkaq kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka refuzuar një ftesë të Kurtit për takim dhe ka thënë se asaj do t’i përgjigjet pozitivisht vetëm nëse është e shkruar dhe formale.