250 shtëpi individuale do t’u dorëzohen banorëve të prekur nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit, në muajin tetor. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj bëri të ditur se dy njësitë zbatuese FSHZH dhe bashkia e Tiranës kanë përmbyllur fazën e dytë të një loti të madh shtëpish individuale.
“Bëhet fjalë për 250 shtëpi individuale që do të dorëzohen në muajin tetor dhe pastaj do të vijohet çdo dy javë me lotet e tjera me nga 250 shtëpi individuale. E njëjta gjë me Fondin shqiptar të Zhvillimit për bashkitë e tjera, duke përfshirë edhe bashkinë e Durrësit. Në total do të jenë 2400 shtëpi individuale që do të ndërtohen”, tha Ahmetaj. Ministri informoi se procesi ka nisur në bashkinë e Shijakut, si një nga zonat më të dëmtuara, ku parashikohet ndërtimi i 680 shtëpive individuale.
Në Thumanë, tha ai, kanë nisur punimet për infrastrukturën dhe puna për ndërtimin njësitë individuale me konceptin e ri urban. Ahmetaj u shpreh se po vijon me ritme të larta edhe programi i shkollave.
“Programi i shkollave sot është i gjithë në aktivitet të plotë ose në ndërtim ose prokurim ose në fazën përfundimtare të projektimit së në rastin e shkollave të bashkisë së Tiranë“, tha ministri.