Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj bëri të ditur se ka nisur sot shpërndarja e grantit për riparimin e banesave të dëmtuara lehtë deri mesatare.
Ministri bëri të ditur se shuma që do t’u jepet qytetarëve në dorë për riparimin e dëmtimeve të banesave të tyre është e konsiderueshme, sepse, tha ai, edhe dëmet në bashkinë e Durrësit janë të mëdha.
“Vetëm grantet DS1, DS2, DS3 janë 2.5 miliardë lekë që do të shpërndahen për 7500 banesa të dëmtuara deri sot, por procesi do të vijojë pasi ka ende dosje në shqyrtim”, bëri të ditur ministri. Ahmetaj po ashtu informoi se shumë shpejt do të nisë edhe riparimi i dëmeve në ambientet e përbashkëta në Bashkinë e Durrësit.
“Bashkia shumë shpejt do të ndërhyjë në godinat ku ka dëme dhe janë klasifikuar për t’u riparuar, për t’i bërë ato godina të mundshme për të vazhduar jetën normale që dalëngadalë t’i kthejmë familjet në shtëpitë e tyre”, tha ministri. Ministri u shpreh se fondi i llogaritur për riparimin e dëmeve të ambienteve të përbashkëta në bashkinë e Durrësit llogaritet 1 miliardë lekë.
Ahmetaj deklaroi se grantet e miratuara për riparimin e banesave të dëmtuara lehtë deri mesatare në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti llogariten deri tani 7.2 miliardë lekë. Sipas tij, ka ende dosje që janë duke u parë dhe se deri në fund kjo shumë pritet të arrijë në 8 miliardë lekë.