Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se “deri më sot, rreth 44% e përfituesve të ndihmës së shpërndarë nga qeveria shqiptare në situatën e pandemisë së COVID-19, përmes paketave ishin gra dhe vajza”.
Denaj mori pjesë sot në mbledhjen e Bordit Këshillues të Bankës Botërore për Çështjet Gjinore dhe Zhvillimin, ku u diskutua ndër të tjera mbi qasjen kombëtare për të adresuar nevojat e grave dhe vajzave shqiptare në periudhën e pandemisë.
“Periudha e izolimit na rikujtoi rëndësinë që gruaja ka për ekonominë shqiptare. Efekti i diferencës në paga mes burrave dhe grave dhe pjesëmarrja më e ulët e gruas në tregun e punës i kushtojnë ekonomisë shqiptare çdo vit rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Denaj.
Ministrja theksoi se “vëmendja për rolin e gruas në komunitet dhe veçanërisht në tregun e punës dhe botën e biznesit është e shtuar në kohën e pandemisë”.
Megjithatë, sipas saj, “gjatë kësaj kohe, rezultatet dëshmojnë se gratë e kanë patur më të lehtë rikthimin në tregun e punës, pas rihapjes së ekonomisë në krahasim me meshkujt, me rreth 58%”.
“Me Bankën Botërore dhe Bordin Këshillues të saj, ku kam kënaqësinë të përfaqësoj Shqipërinë, do të ndjekim hapat edhe në nivel kombëtar për integrimin e plotë të gruas në jetën ekonomike dhe sociale, edhe në sektorët më të vështirë”, tha Denaj.