Përmes rrugicave mistike të Mangalemit, në Berat ndodhet “shtëpia e glikove”, ku një 80 vjeçare së bashku me familjen e saj prodhojnë gliko në mënyrë artizanale.
Kryeministri Edi Rama publikoi historinë e kësaj familjeje, e cila prodhon 40 lloje glikosh.
“Përmes rrugicave mistike të Mangalemit, në “shtëpinë e glikove”, aty ku rrëzëllen shembulli frymëzues i Margalinës, 80 vjeçares së dashuruar me të bukurën, e cila prej vitesh prodhon në mënyrë artizanale glikotë më të mira të Beratit”, u shpreh Kryeministri Rama.
“Nuk bëjmë gliko për të shitur për të bërë para për të ngrënë bukë, por bëjmë gliko tradicionale për të kënaqur veten dhe klientin”, shprehet Margalina.
Produktet e nënë Margalinës dhe familjes së saj janë prezente në të gjitha panairet që zhvillohen në vend, por edhe në pikat e shitjes të produkteve natyrale.
Drejtore e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural, Frida Krifca informoi se “punishtja” modeste e Margalinës, monument kulture prej muajit gusht do t’i nënshtrohet restaurimit, për t’i rikthyer shkëlqimin shtëpisë së nënës duarartë.