Mero Baze/

Sa herë që ka shanse për dialog mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, të gjithë mendojnë që problemi është Sali Berisha. Të gjtihë përfytyrojnë atë skenën, që pasi Rama flet me Bashën (përveç rastit kur mbyllen vetëm), Basha duhet të dal në koridorë, të flas me “atë”, e ti kthej përgjigje. Ky është profili që ai ka krijuar në publik për vendimarrjen e tij politike.

Tani ka një hap përpara. Përvec faktit që dhe dialogu i tij direkt me Ramën ka pasur gjithë dyshimet e dështimit për shkak të “telefonit të prishur” me Berishën, tani është shtuar dhe një hallkë e re. Ky është Gazmend Bardhi.

Dmth që tani të bësh dialog me Lulzim Bashën, duhet të flasësh me Gaz Bardhin, pastaj ky të dal në koridor të flas me Bashën, pastaj ai të flas me Berishën dhe ti të marrësh përgjigje.

Eshtë kjo arsyeja kryesore përse Lulzim Basha ja ka bërë më të lehtë Edi Ramës betejën për ndryshimet kushtetuese.

Edhe pse Këshilli Politik, është një institucion i shpikur për të rikthyer daljen nga orbita të Lulzim Bashës, ai e deligjitimoi për fatë të mirë, në rastin e parë që ju dha të përballej aty me kryeministrin e vendit.

Nëse do të merrte pjesë, nuk është se kishte ndonjë mundësi të madhe për dialog, pasi ai nuk mbyllet më brenda në dhomë vetëm me Ramën, por do kishte më shumë debat për seriozitetin e Këshillit Politik që Rama e legjitimoi duke marrë pjesë në të.

Duke mos marrë pjesë, e para, kemi një humbje të rëndësisë së Këshillit Politik, si një institucion ku Basha nuk beson se mund të zgjidhen problemet dhe së dyti kemi dhe pritshmërinë që të dëgjojmë, vetëm çfarë thotë Rama për fundin e këtij dialogu të shpikur, për të vonuar dialogun.

Në këto kushte, e vetmja gjë që pritet nga takimi i Këshillit Politik, është të mësojmë hapat që do hedh shumica drejt ndryshimeve kushtetuese.

Edhe pse Ilir Meta u zgjua në mesnatë nga një sms që i këshilloi të mblidhte Këshillin Politik, edhe pse Basha prishi gjumin të siguronte Metën se duhej bërë patjetër përmes Këshillit Politik, sapo Rama e pranoi dhe tha u pres aty, ai u zhduk. Pra e gjitha paska qenë që Edi Rama të thoshte: -“nuk kam punë me Këshillin Politik” dhe ata të nisnin një “intifadë” kundër dialogut që “po na lë jashtë BE”.

Në fakt Edi Rama bën shumë mirë që shkon në Këshill Politik, aq më tepër në kushtet kur nuk ka me kë dialogon, por vetëm mban qëndrimin e tij. Duhet të shkonte aty dhe sikur Basha të çonte shoferin e Kunatit. Në fund të fundit, dhe vet Basha të ishte, Rama duhet të priste për përgjigjen, pas çdo kërkese. Dhe në këtë rast nuk ndryhson gjë. Përveç faktit që Rama nuk pret ndonjë përgjigje.