Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, foli në A2 mbi situatën politike në vend dhe konkretisht për ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë.
Për Shehun ndryshimet kushtetuese në këtë moment synojnë ta çojnë vendin në një autokraci të fortë.
“Unë mendoj se problemi nuk shtrohet duhen hapur apo jo listat. Problemi është se e gjithë kjo lojë që po bëhet nga PS është jo korrekte, e rrezikshme. Të kërkosh në këto momente të ndërrosh kushtetutën kur nuk ke gjykatë Kushtetuese është një vepër që bie ndesh me demokracinë. Të kërkosh të shkelësh marrëveshjen që sapo e ke firmosur.
Zëri i shqiptarëve që manifestohet nga forcat politike nuk respektohet dhe kërkohet të ngushtohet nga disa zëra të vetëm. Ajo që kërkon Rama lidhet me mosdëgjimin e zërit të shqiptarëve. Rama ka frikë nga dëgjimi masiv i zërit të shqiptarëve.
Çdo prekje e Kushtetutës është një akt madhor dhe nuk preket sa herë duam ne. Nuk është vetëm koha e shkurtër, por edhe mungesa e instrumenteve më të rëndësishme, gjykata Kushtetuese dhe parlamenti i cunguar që nuk ka të drejtë të prekë Kushtetutën. Kjo është gjëja më antidemokratike që mund të ekzistojë. Kjo synon ta çojë Shqipërinë nesër në një autokraci të fortë, që na largon nga rruga jonë drejt BE-së”.
Për Shehin, këto ndryshime kushtetuese janë një grusht shteti dhe duhet të ndalohen menjëherë.
“Unë e shikoj me shumë shqetësim këtë situatë, pasi po shkon në drejtim të antidemokracisë dhe nuk dihet se ku do të shkojmë.
E ardhmja nuk është shumë optimiste, duhet të bllokohet menjëherë ky grusht shteti, i cili ka ndodhur edhe në vende të tjera lindore. Duhet të jemi shumë të qartë për këtë, janë në lojë fatet e demokracisë shqiptare”, u shpreh Shehu.