Qeveria shqiptare ka rritur fondin që do të jetë në dispozicion për rindërtimin e objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas.
Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi sipas të cilit, miratohet përdorimi i fondit të rindërtimit, për financimin e rindërtimit të objekteve arsimore, për projektimin, zbatimin e punimeve, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e këtyre objekteve në vlerën 9.5 miliardë lekë nga 7.9 miliardë që planifikoheshin në fillim të vitit.
Sipas vendimit, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i akordohet shuma në vlerën 4 347 753 223 lekë, ndërsa bashkisë Tiranë shuma në vlerën 5 184 188 593 lekë.
Fondi që do të përdoret, i miratuar në buxhetin e vitit 2020, do të jetë 7 292 186 370 lekë pa TVSH, nga të cilat Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “programe zhvillimi”, i shtohet fondi prej 4 347 753 223 lekë dhe Bashkisë Tiranë i transferohet fondi prej 2 944 433 147 lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar.