“I vetmi trajner që mendoj se kam gabuar unë, ka qenë Sormani”, ky ishte pengu që presidenti Demi ka thënë në disa raste, që pasi e largoi trajnerin Italian në fund të vitit 2016.

Nuk ishte ecuria në Europë ajo që e bëri të pendohet, por gjesti i Adolfos në momentin e largimit. “Dua të paguhem për sa kohë kam punuar dhe largohemi duke shtrënguar duart”, pat thënë atëherë tekniku. Një gjest, që për një njeri që i beson shtrëngimit të dorës dhe fjalës së dhënë, konsiderohej si një veprim burrëror. Një burrëri që vinte më tepër në kujtesë, pas eksperiencave të tjera jo të mira, me trajnerët e huaj.

Janar 2020. Pas largimit të Franko Lerdës, në telefonin e Demit, vjen një mesazh vetëofrimi. “Jam i gatshëm të rikthehem te Partizani”. Ishte Sormani, pengu i presidentit. Mjaftoi kaq që negociata të mos ketë dhe kreu i klubit të kuq t’i shtrëngojë dorën teknikut italian. Këtë herë, duke e shoqëruar edhe me një kontratë 2 vite e gjysmë. Besimi në burrëri dhe aftësi ishte maksimal. “E njoh këtë skuadër dhe kam ardhur për të fituar titullin kampion këtë sezon”, deklaroi 54-vjeçari në prezantim.

Mars 2020. Pasi e mori Partizanin në vendin e dytë, 5 pikë larg vendit të parë, të kuqtë e Sormanit e shikojnë veten afër zonës play-out. Ecuria ishte tejet zhgënjyese. Në 10 ndeshje kampionat, humbet 5 dhe barazon një tjetër. Përveç kësaj, eliminohet nga Kupa e Shqipërisë prej Besëlidhjes që luan një kategori më poshtë. I vetëdijshëm për rezultatet e dobëta, i pyetur në konferencë për vazhdimësinë, ai tha: – “Presidenti Demi është një zotëri. Kur të mos jetë i kënaqur, mund të më thotë të iki nga skuadra dhe do përshëndetem me të gjithë”.

10 korrik 2020. Dita e vërtetësisë së burrërisë së Sormanit. Pasi 5 futbollistë rezultojnë pozitiv me COVID dhe pjesa tjetër negativë, protokolli shëndetësor i shpërndarë nga FSHF, rekomandon që ndeshjet do luhen. Të kuqtë bëhen gati për derbin me Tiranën. Por, mungon trajneri dhe ndihmësit e tij. Të paqartë, drejtuesit tentojnë të komunikojnë, por asnjë përgjigje. Në fund, vjen një e-mail zyrtar nga menaxheri i italianëve pak orë para fillimit të sfidës: – “Sormani dhe ndihmësit e tij nuk do paraqiten. Ndeshja duhet anuluar”. E pabesueshme, por e vërtetë. A thua se ishte Partizani që vendoste nëse luhen ndeshjet. Kapiteni e braktisi anijen e tij. Në mënyrë burracake. I la të vetëm edhe djemtë, me të cilët kishte punuar e luftuar për muaj me rradhë.

Për javë të tëra, “demat” përjetuan një ecuri totalisht zhgënjyese në rezultate, që nuk korrespondojnë aspak me buxhetin e lartë. Një ekip kompetitiv në drejtimin (të kritikuar) të Lerdës, u katandis në luftë për mbijetesë dhe jashtë garës për Europë me Sormanin. Por, në çdo rast, presidenti i të kuqve i besoi “dashurisë” për karakterin e teknikut të tij, duke mos e vënë asnjëherë në dyshim vazhdimësinë.

Gjithsesi, duket se këtë herë mori një mësim tjetër mbi eksperimentet me trajnerët italianë. Burrëria e atij që e bëri të pendohet pse e largoi, u shkërrmoq, nga një kontratë afatgjatë. U gjet momenti i gabuar i braktisjes, për t’u munduar të gjejë alibi për dështimin, por pa gjetur aspak zë dhe fytyrë që të komunikojë me atë që e konsideronte mikun e tij, Demin.

Një histori “burrërie” që u shit bukur në një vend që e besojnë këtë virtyt, për pak euro më shumë.

Por, në fund, me sa duket, presidenti i Partizanit, e ka zeruar listën e pengjeve morale.

Nuk paska gabuar as herën e parë…

Por, mjaft më me italianë plot CV, e shumë fjalë…(Vipsport)