Kur Drafti i Reformës Zgjedhore fle në sirtarët e Kuvendit, në pritje për tu miratuar, akuzat dhe kundërakuzat që prodhoi miratimi i hapjes së listave në Komisionin e Ligjeve, sollën vendimin e palëve për të mbledhur sërish Këshillin Politik, që do të vijojë punën të hënën në orën 11:00.
Krahas 4 përfaqësuesve të palëve politike, Damian Gjiknurit, Rudina Hajdarit, Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit, tryeza do të zgjerohet. Kryeministri Rama ka shprehur gatishmërinë për të qenë vetë pjesë e Këshillit.PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PDLSIOP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë,e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik”, shkruan Rama.
Ndërsa opozita e bashkuar ka përfshirë në përfaqësinë e saj në Këshillin Politik edhe Gazment Bardhit.
“Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi”, shkruhej në deklaratën e saj.
Më herët kryeministri ftoi në këshill Bashën dhe Metën. Por kreu i PD vendosi që përballë Ramës të ishte Gazmend Bardhi dhe vetë do të zhvillojë një vizitë në Kosovë
Ndërkohë që dilemë mbetet nëse pjesë e diskutimeve në Këshillin Politik do të bëhet edhe Presidenti Meta, i cili ishte edhe ai që bëri ftesën që ndryshimet në sistem të bëhen në Këshillin Politik.
Nga ana e saj, opozita e bashkuar vjen më kushte në këtë tryezë, pasi nuk pranon ndryshime në marrëveshjen e 5 Qershorit.
“Dokumenti i depozituar nga një grup deputetësh të mazhorancës dhe që përmban produktin e dakordësuar në Tryezën e Këshillit Politik duhet të miratohet sa më parë dhe pa asnjë ndryshim, dhe për këtë arsye, nuk mund të rihapet asnjë çështje që është dakordësuar aty”, shkruhet në deklaratën e opozitës jashtëparlamentare.
Por e palëkundur në kërkesat për hapjen e listave mbetet edhe opozita e re.