Oliver Varhelyi, Eurokomisioneri për Zgjerimin, ka mirëpritur dakordësinë e partive politike në Shqipëri për t’u mbledhur në Këshillin Politik. Në një reagim në Tuiter, zyrtari europian ndan bindjen se gjithëpërfshirja është mënyra e duhur në këtë drejtim. Ndërkohë, ai kërkon miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit, që është edhe një ndër kushtet kryesore të integrimit.

“Shumë mirë që Këshilli Politik do të diskutojë ndryshimet e propozuara në sistemin zgjedhor. Gjithëpërfshirja është mënyra e duhur për çështjet elektorale. Marrëveshja vendimtare e 5 qershorit ruhet dhe votohet shpejt në ligj pasi adreson një kusht kryesor për bisedimet e pranimit në Bashkimin Europian”, ka shkruar Varhelyi.