Çfarë mund të mësojnë vendet në zhvillim nga liderët e inovacionit në një botë post-COVID-19?
Nga Irid Bufi/
Në muajt e fundit janë shkruar shumë artikuj në lidhje me ndikimin që COVID-19 do të ketë në qeverisje, bizneset dhe shoqëritë tona. Kuptohet se vëmendja është fokusuar në shërbimet shëndetësore, luhatjet e bursave, regresi ekonomik dhe efektet e paimagjinueshme që virusi po shkakton në jetën tonë të përditshme. Por a nuk do të ishte interesante për një moment ta hiqnim vëmendjen nga sfidat dhe vështirësitë dhe ta përqendronim atë në një lloj tjetër diskutimi, i cili përqendrohet te mundësitë, që ngjarje si këto ofrojnë për shoqëritë tona?
Teksa nxitojmë të kthehemi në normalitet, shumë qeveri perëndimore po e përdorin këtë moment për të prezantuar strategji të reja inovacioni, po japin mbështetje financiare, për ekonomitë e tyre të dëmtuara, me synimin për të dalë nga kriza më të fortë, drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme.
Gjermania, për shembull, publikoi në qershor të 2020 “Strategjinë Kombëtare të Hidrogjenit” që synon ta shndërrojë vendin në një nga liderët e zhvillimit të teknologjisë së prodhimit të hidrogjenit në vitet në vijim. Synimi që vendi i ka vendosur vetes, të prodhojë 65% të energjisë nëpërmjet burimeve të rinovueshme deri në vitin 2030 dhe të qenët karbon neutral deri në vitin 2050 mund të arrihet vetëm nëse ndodh i ashtuquajturi “sector coupling”. Prodhimi i elektricitetit nga burimet e rinovueshme nuk është i mjaftueshëm kur sektorët e tjerë parësorë janë ende duke u mbështetur në qymyr, gaz dhe naftë.
“Afrimi” i këtyre sektorëve, për shembull, ngrohja, transporti dhe proceset industriale, me prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme, pritet të jetë një nga inovacionet më të mëdha të viteve të ardhshme. Kjo temë bëhet edhe më e rëndësishme tani në kuadrin e një rikuperimi “të gjelbër” ekonomik pas pandemisë. Prodhimi i hidrogjenit apo i quajtur ndryshe “Power to X” nuk është i vetmi që po tërheq vëmendjen. Masa të tjera po merren nga qeveria gjermane, si për shembull një fond prej 60 miliardë eurosh për inovacion, kërkime shkencore dhe arsim.
Një paketë tjetër financiare prej 2 miliardë eurosh, do të alokohet për të shpëtuar falimentimin e startup-eve, të cilat shihen si veçanërisht të rëndësishme për ekosistemin e inovacionit. Investimet në Inteligjencën Artificiale do të përfitojnë 3 deri në 5 miliardë euro deri në vitin 2025 dhe të mos harrojmë të ashtuquajturën “EU Green Deal”, e cila përfaqëson strategjinë e gjelbër europiane, e prezantuar në fund të vitit të kaluar. Nëse zbatohet siç duhet nga vendet anëtare të BE-së, është një plan solid që shtron terrenin për një të ardhme të qëndrueshme. Por cilat janë disa nga këto teknologji inovative në qendër të vëmendjes në Europë?
Prodhimi i energjisë së rinovueshme nga “teknologjitë lundruese” të erës dhe diellit (ose të njohura si “Floating Wind” dhe “Floating Solar”)
Era dhe fotovoltaikët konsiderohen prej disa vitesh teknologji “të faturuara”. Sfida e së ardhmes do të jetë se si t’i bëjmë këto teknologji “me kosto tepër të ulëta” dhe se si t’i shtrijmë ato përtej hapësirave të kufizuara, në të cilat mund të ndërtohen.
Teknologjitë lundruese të diellit dhe erës e ofrojnë këtë potencial. Ato premtojnë mundësinë e zgjerimit e përhapjes territoriale të burimeve të rinovueshme përtej ujërave të cekëta, në zona të thella detare (për erën) dhe për fotovoltaikët lundrues, potenciali vlerësohet të jetë të paktën 400 GW në tregun global. Disa nga gjigantët e prodhimit të rinovueshmeve, si për shembull Orsted, Equinor, Shell apo RWE Renewables janë përfshirë në betejën e bërjes sa më shpejt komerciale të këtyre teknologjive.
Parandalimi i mbetjeve plastike
Riciklimi i plastikës është një biznes i ndërlikuar (dhe konfuz). Disa biznese interesante inovative janë duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje për problemin, e megjithatë deri më sot nuk ka një teknologji globale për të zgjidhur krizën e mbetjeve plastike. Ky është bërë një problem edhe më i madh pas rishfaqjes së pajisjeve mbrojtëse personale njëpërdorimshe në përpjekje për t’u mbrojtur nga COVID-19.
Sfidat rreth riciklimit të plastikës janë më komplekse sesa për shembull riciklimi i letrës, kështu që zgjidhjet duhet të kombinohen me masa të forta rregullatore. Hipli, Cleanseasolutions dhe Arekapak janë të gjithë startup-e europiane që po eksplorojnë ofrimin e alternativave të përdorimit të plastikës.
“Interneti i Gjërave” (IoT), Robotika dhe Automatizimi i Proceseve
UIPath është një startup rumun që ndërton “software” robotë me qëllim automatizimin e proceseve të përsëritura të bizneseve. Blue Prism në Angli dhe Automation Anywhere në SHBA po bëjnë të njëjtën gjë dhe të gjitha këto kompani janë në garë për t’u bërë liderët globalë në fushën e automatizimit. Cilado prej tyre që do të jetë e suksesshme, do të udhëheqë në vitet në vazhdim një nga shtyllat më të rëndësishme të Industrisë 4.0, automatizimin.
A mund të transferohet ky zhvillim i shpejtë i inovacionit nga vendet perëndimore në rajone më pak të zhvilluara, të cilat, le të themi nuk kanë domosdoshmërisht fuqinë financiare për të dhënë paketa ndihme, ose që u mungon stabiliteti politik për të zbatuar politika të reja inovative? Nëse do të ishim pesimistë, përgjigjja do të ishte padyshim “Jo”.
Por, nëse do të kemi një qasje më “optimiste”, atëherë mund të zbulojmë mënyra krijuese se si mund të zhvillojmë inovacionin në vende më pak të zhvilluara si p.sh. vendet e Europës Juglindore. Termi ekonomik në gjuhën angleze “Leapfrogging ” përdoret shpesh në fushat e biznesit dhe ekonomisë, për të përshkruar mënyra të reja të zhvillimit ekonomik dhe inovacionit.
Në këtë pikëpamje, vendet e Europës Juglindore, të cilat nuk ndodhen gjeografikisht shumë larg nga “Silicon Valley” e Europës, mund të “kapërcejnë” etapat e ngadalta të zhvillimit ekonomik, në të cilat gjenden dhe mund të “kopjojnë” pa shumë përpjekje gjithçka është duke ndodhur tashmë në Europë.
1.Ekonomitë e tyre janë më pak të komplikuara sesa vendet industriale. Nuk ekzistojnë sisteme rregullatore për çdo gjë, kështu që për të bërë inovacion nuk ka nevojë të “çmontohen” struktura ekzistuese. Çdokush mund të inovojë lirisht dhe të shfrytëzojë këto rajone si “tregje testimi”, ose si vende për të krijuar projekte pilote. Nën këtë narrativë nuk do të ishte aspak e vështirë për të tërhequr startup-e dhe biznese europiane, duke zhvendosur qendrat e tyre në Tiranë ose në Beograd.
Skena e startup-eve në Beograd është e përbërë nga një portofol i larmishëm kompanish, që ofrojnë zgjidhje nga “minierat e cryptocoin” e deri tek aplikacionet e ndryshme. Interesant është fakti se tashmë kompanitë që merren me inovacion në Serbi paguajnë 0% taksë mbi të ardhurat. Tirana, nga ana tjetër, ofron mundësinë e ndërthurjes së biznesit me gjallërinë e jetës pranë plazhit.
2.Që të fillosh të inovosh, një pikënisje e mirë është edhe përshtatja e zgjidhjeve që ekzistojnë diku tjetër. Blerja dhe pagesat online, bankat fin-tech dhe transporti inovativ janë të gjitha ide që ekzistojnë, por që njëkohësisht nuk kërkojnë investime të mëdha për t’u implementuar.
3.Zgjidhja e problemeve lokale apo rajonale në vend të të menduarit për të “inovuar kryekëput” sektorët industrialë është gjithashtu jo e vështirë. Për shembull: Sa i lehtë është ky inovacion (sistem pompimi diellor i lëvizshëm), i propozuar nga disa studiues indianë për të ndihmuar fermerët të ujisin tokat bujqësore me energji diellore. Në të njëjtën frymë, Agremo dhe Smart Watering janë dy startup-e serbe që ofrojnë zgjidhje për të optimizuar prodhimin bujqësor.
4.Është shumë më e lehtë të bëhesh sipërmarrës kur ekzistojnë ‘hube’ inovacioni. Ato nuk kërkojnë investime të mëdha dhe janë një burim i shkëlqyeshëm informacioni për biznesmenët e rinj. Edukimi i sipërmarrësve të së nesërmes, duke u dhënë atyre një platformë për të menduar në mënyrë kreative “out of the box”, është ndonjëherë po aq i rëndësishëm sa investimi i drejtpërdrejtë financiar në inovacion.
Pra, a ka ardhur koha që Tirana, Beogradi dhe Shkupi të shndërrohen në qendra të inovacionit në rajon? (Monitor)