Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, këmbëngul se ai dhe Lionel Messi kanë marrëdhënie të forta, pas fitores së thellë 5:0 kundër Alavesit në ndeshjen e fundit të sezonit në La Liga. Morali i skuadrës ishte i ulët pas disfatës 2:1 kundër Osasuna në shtëpi, e cila ndodhi në natën kur Real Madridi e fitoi titullin, duke e kaluar Barcelonën në renditje, transmeton Gazeta Express.
Por tani, Barcelona i ka sytë kah Liga e Kampionëve, ku do të përballet me Napolin në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales. Kjo ndeshje, e cila do të zhvillohet më 8 gusht në Camp Nou, i ofron Barcelonës mundësi ta arrijë çerekfinalen në një të ashtuquajtur “mini-turne” që do të mbahet në Portugali në fund të atij muaji.
Përkundër thashethemeve rreth të ardhmes së tij, Setien këmbëngul se ai dhe Messi, i cili është mbase personi më i fuqishëm në klub, ia kalojnë shumë mirë duke punuar së bashku. “Është njëjtë si më të gjithë tjerët, pak a shumë. Ka lojtarë të cilët janë më të hapur, por kam marrëdhënie të mira me të”, tha Setien.