Nga “policët në ferra” te radarët inteligjentë, ky është ndryshimi që drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj synon të bëjë në rrugët e Shqipërisë, një lëvizje që sipas ekspertëve të ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, është e duhura për qarkullimin në vendin tonë.

Eksperti i sigurisë Fation Softa e cilësoi praktikën e deri tanishme të fshehjes së policëve në akset kryesore për të kapur shkelësit si një formë të vjetër dhe e rrezikshme për drejtuesit e mjeteve që gjendet rëndom vetëm në vendet Ballkanike.
“Kjo është pritur mirë. Këto janë forma të vjetra që gjenden në vendet Ballkanike, i ke edhe në Mal të Zi, në Maqedoni. Janë forma që përdoren më shumë për statistikë ose për korrupsion, por nuk shërbejnë. Shqipëria nuk do të ndërtojë një model ballkanik por një model europian. Modelet europiane janë shumë të qarta, sidomos për të drejtat e njeriut“ tha Softa.

Ish prokurori Ervin Karanxha argumentoi se patrullat e fshehura të policisë kanë qenë burim rreziku për shoferët në autostrada dhe sot, zhvillimet e teknologjisë mundësojnë verifikime më të sakta dhe më pak të rrezikshme
“Shyqyr po largohen policët nga ferrat ose nga tabelat. Për mua pjesën më të madhe të kohës kanë qenë burim rreziku për shoferët në autostrada. Sot me zhvillimin e teknologjisë shkelet verifikohen ndryshe. S’ka arsye përse ta ndalosh shoferin në autostradë e të bëhesh burim aksidenti” tha Karanxha.
Nga ana tjetër Softa shpjegoi përse, praktika e makinave të fshehura në rrugë jo vetëm që nuk ndihmon, por rrit edhe rrezikun për aksidente por edhe përse radarët janë sistemi më i mirë në monitorimin e qarkullimit
“Më ka rënë 3 herë të shkoj në Vlorë dhe në po të njëjtin vend shoh pas ferrave një makinë policie që rri e fshehur. Është e rrezikshme jo vetëm për jetën e tyre, por edhe për drejtuesit e mjeteve. Nuk zgjidhet problemi kështu. Një segment 10 metra nuk përbën të gjithë aksin e rrugës. Prandaj duhen vendosur radarët, bërë paralajmërimet sinjalistike që shoferët të ndërgjegjësohen dhe të ulin shpejtësinë. Ka ikur koha e kabllove. Radarët sot duhen vendosur me sim card dhe nëse vendos inteligjencën artificiale në to mund të shërbejnë edhe për të identifikuar targat e vjedhura, makinat me probleme, ato pa siguracion apo kontroll teknik. Kamera është një kuti, programi që i ke vendosur ka rëndësi” thotë ai.
Softa përgëzoi edhe drejtorin e ri të policisë për vizionin e tij
“Drejtori i ri i Policisë e ka këtë vizion. Ai nuk thotë që s’do të ketë kontrolle në rrugë, por ato do të bëhen me inteligjencë. Ka ardhur koha që edhe akset kryesore të qarkullimit të trafikut brenda qyteteve kryesore duhet të jetë policia bashkiake dhe policia e shtetit të bëhet më e fortë ndaj problemeve që janë më madhore: lufta kundër krimit, problemet me territoret e jo të rrinë 3 policë në semaforë” tha Softa.