Në mesin e atyre që festuan për titullin e 9-të radhazi të Juventusit, me siguri nuk mund të mungonte Patrice Evra. Ish-mbrojtësi francez, i cili e veshi fanellën bardhezi nga viti 2014 deri më 2017, zgjodhi këngën e famshme të Umberto Tozzi, “Ti Amo”, për t’i nisur mesazhin përshëndetës klubit dhe fansave. Përmes profilit të tij zyrtar në Instagram, Evra demonstroi lidhjen që ka me skuadrën e tij të mëparshme.
Direkt nga makina e tij, francezi e filmoi veten duke “performuar” në interpretimin e këngës së sipërcituar dhe nënvizuar: “Vazhdoni të më thërrisni Gobbo, por presidenti Agnelli më tha se dëshiron 10 tituj radhazi”. Pastaj, disa shigjeta për kundërshtarët e bardhezinjve: “Pra, vazhdoni të përtypeni për sezonin e ardhshëm. Ky klub (Juventusi) është shumë i fortë”. Në fund, mbyllja e zakonshme dhe motoja e tij tani e famshme: “E dua këtë lojë”.