Edhe kjo fundjavë e ka gjetur thuajse të boshatisur Tiranën, me kryeqytetasit që sërish kanë zgjedhur ta kalojnë këtë të diel në zonat bregdetare ndonëse temperaturat nuk janë tepër të larta.

Numër tejet i reduktuar i automjeteve por edhe i këmbësorëve është panorama që të ofron këtë fundjavë kryeqyteti.Edhe zona e ish bllokut që në mbrëmje dhe ditët e javës gumëzhin nga njerëzit dhe muzika e lartë në lokale është thuajse e boshatisur.

E vetmja zonë që nuk zhgënjen është Parku i Liqenit Artificial. Fëmijët e shoqëruar nga prindërit janë vizitorët besnikë edhe këtë të diel. Nuk mungojnë të rinjtë e të moshuarit që shëtisin në të vetmen zonë të gjelbëruar të kryeqytetit.

Në pamundësi për të shijuar bregdetin, disa qytetarë në Tiranë shfrytëzojnë kodrat e liqenit edhe për të marrë disa rreze dielli.