Partitë politike dhe kandidatët e tyre do të kenë të drejtën që të organizojnë transportin e zgjedhësve drejt qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Ekspertët e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore kishin propozuar më herët në draftin e tyre vendosjen e një neni në Kodin Zgjedhor që sanksiononte qartë se “Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet të organizojnë, kryejnë apo mbulojnë shpenzimet, vetë ose nëpërmjet të tretëve, për transportin e zgjedhësve drejt qendrës së votimit”. Pas mbledhjes së tryezës së Këshillit Politik në 16 Qershor, pyetur nga mediat nëse do të ndalohet transporti i zgjedhësve nga partitë politike, përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri deklaroi se ky nen ishte lënë në vullnetin e Partisë Demokratike.

“Ja kemi lënë Partisë Demokratike ta vendosë. Si të dojë Partia Demokratike. Kaq e thjesht është, ta marrin ata vendimin”, theksoi Gjiknuri. Dhe vendimi i Partisë Demokratike nuk vonoi. Mësohet se në mbledhjen e fundit të Këshillit Politik, PD-LSI kanë kërkuar që të mos ndalohet transporti i zgjedhësve dhe dokumenti i cili i kaloi Kuvendit si produkt i kësaj tryeze nuk e ka ketë nen të propozuar nga ekspertët për ndalimin e këtij aktiviteti nga partitë. Ky qëndrim i opozitës jashtëparlamentare e shfryn edhe më tej “tullumbacen” e dosjes së famshme 184 të zgjedhjeve në Dibër.

Një nga përgjimet e publikuara në media dhe reklamuara fuqimisht si skandal nga ana e PD-LSI në këtë dosje ishte dhe biseda e kordinatorit politik socialist Damian Gjiknuri me drejtuesit e shtabit socialist në Dibër ku interesohej nëse ishin marrë masat për transportin e zgjedhësve drejt qendrave të votimit.

Marrë parasysh edhe faktin se zonat rurale në Dibër i kanë qendrat e votimit në distancë shumë të largët dhe në rastet e pamundësisë së udhëtimit, partitë organizonin transportin. Me kërkesën për mosndalimin e të drejtës së partive dhe kandidatëve për të organizuar dhe mbuluar transportin, PD-LSI kanë konfirmuar dy të vërteta. E para, se e gjithë tymnaja e ngritur rreth përgjimeve të Dibrës ka qenë thellësisht akuzë politike pasi transporti i zgjedhësve nga partitë dhe kandidatët paska qenë i lejuar me ligj dhe nuk përbënte asnjë shkelje ligjore, aq më pak skandal.

E dyta, se skema e transportit të zgjedhësve nuk paska asnjë gjë problematike në vetvete në raport me integritetin e votës dhe zgjedhjeve. Përndryshe, nuk kishte se pse PD dhe LSI të kërkonte që të ruhej si e drejtë e partive edhe për zgjedhjet e ardhshme. Ky element mund të ishte ndoshta i vetmi ku PD-LSI mund të investoheshin për të sanksionuar diçka në Kodin Zgjedhor. Për të mbajtur gjallë “tullumbacen 184” të Dibrës, PD-LSI u ka mbetur tashmë vetëm mundësia të propozojnë heqjen nga fjalori i gjuhës shqipe të shprehjes “termet, termet” ashtu sikurse të kërkojnë që partive politike tu ndalohet e drejta për të patur objektiva elektorale apo të pyesin shtabet për pritshmërinë e rezultatit zgjedhor.(TemA)