Drejtoria e Arsimit në Pejë vlerëson që mësimi i rregullt në klasë duhet të fillojë në shtator, nëse deri atëherë nuk ka përkeqësim të situatës së krijuar nga pandemia me Covid19.
Sipas udhëheqësve të këtij sektori në këtë komunë, në veçanti fëmijët në klasën e parë dhe të dytë, ata në të gjashtën dhe nxënësit e klasës së dhjetë duhet të vijojnë mësimin në shkolla. Ditë më parë, Ministria e Arsimit u ka shpërndarë komunave udhëzuesin e përgjithshëm për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020/2021 në kushtet e pandemisë Covid19, të cilin mund ta zbatojnë varësisht nga kushtet dhe rrethanat në të cilat gjenden komunat. I njëjti vlen derisa nuk ka ndonjë rekomandim të Institutit të Shëndetësisë për ndërprerje të mësimit. Drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj synon që nxënësit e kësaj komune t’i kthejë në klasa me mësim të rregullt nga muaji shtator.
“Ne shpresojmë që duke respektuar udhëzuesit qe kanë dalë nga ministria e arsimit dhe grupi i ekspertëve që po punojnë, janë tre variante të fillimit të ri shkollor, ne do te synojmë variantin e parë që fëmijët të shkojnë në shkollë. …. Varianti i parë, me shku fëmijët në shkollë sidomos fëmijët në klasën e parë që ballafaqohen me mësuesen apo klasa e dytë që i kanë harruar shkronjat, klasa e gjashtë që nxënësit dalin nga klasa e pestë me një mësuese me 13 mësues dhe klasat e dhjeta. Varianti i dytë është në disa shkolla mund të mbahet mësimi në klasë për shkak të hapësirave dhe numrit të caktuar në nxënësve dhe varianti i fundit, nëse rekomandon edhe Instituti Shëndetësor mësimi në formën online apo ne distancë”, thotë ai.
Ai shpjegon se do të organizojnë oraret ku klasat me numër më te madh të nxënësve do të mund të ndahen në grupe në mënyrë që të vazhdohet mësimi në shkolla. “Kjo do të organizohet, bazuar në protokollim, klasat e mëdha do të ndahen në grupe më të vogla të nxënësve dhe sigurisht drejtorët e shkollave dhe menaxherët nëpër shkolla do t’i bëjnë oraret e caktuara për vazhdueshmërinë e mësimit në këto shkollat”, thotë ai.
Në një intervistë për KosovaPress, drejtori i Arsimit në komunën e Pejës përmend edhe sfida të tjera përveç fillimit të vitit shkollor.Sipas tij, sfidë është edhe regjistrimi i nxënësve në klasën e dhjetë që fillon nga e hëna dhe testi i maturës që do të mbahet më 29 gusht.Avdimetaj: Regjistrimi i nxënësve në klasën e dhjetë është sfidë(Video)“Para fillimit të vitit shkollor i kemi dy sfida të tjera, nga e hëna fillon regjistrimi i nxënësve në klasë të dhjeta që është anuluar testi i arritshmërisë, shohim si mund të menaxhojmë dhe zhvillu regjistrimin, është në terë Kosovën, pastaj një sfidë shumë e madhe është testi i maturës që është i obliguar me ligj dhe mbi 30 mijë maturantë të shtunën më 29 gusht do të vazhdojnë të zhvillojnë testin e maturës, edhe kjo nëse nuk ka ndonjë rezultat të keq apo ndonjë informacion nga Instituti i Shëndetësisë për ndërprerje të testit te maturës atëherë duhet të shkojmë me forma të tjera”.Ai thotë se Peja i ka të gjitha kushtet për të mbajtur testin e maturës.
“Kushtet janë, janë përgatitë klasat, janë përgatitë komunat, numri në klasë është 12, do të mbahet distanca, maska do të sigurohet, dezinfektuesit do të sigurohen, transporti do të sigurohet i administruesve, çdo gjë është në rregull, shton ai.Duke theksuar që Peja synon kthimin e nxënësve në klasa, Avdimetaj thotë se mësimi online është edhe i kushtueshëm meqë shumë fëmijë nuk jetojnë në kushte të mira financiare dhe prindërit në të shumtën e rasteve i kane disa fëmijë ne shkollë, gjë që e vështirëson angazhimin e tyre online. Që nga marsi i këtij viti, mësimi në Kosovë është zhvilluar online për shkak të përhapjes së koronavirusit.